Ligjërohen tokat e zëna për të cilat ish-pronari nuk ka interes
Ligji gjithashtu ka parashikuar se kur komisioni vendor, gjatë verifikimit të dokumentacionit vëren se titulli i pronësisë mbi tokën është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara ligj dhe mbajtësi i titullit të pronësisë e posedon dhe shfrytëzon tokën faktikisht, mund të ketë një rrugëzgjidhje. Sipas neneve të ligjit, në rast se nuk preken interesat e ligjshme të personave të tretë, atëherë komisioni vendor i ofron mbajtjen në pronësi të tokës bujqësore dhe ligjërimin e titullit të pronësisë, por me detyrimin që duhet ta paguajë atë sipas vlerës së tregut që ka miratuar harta e çmimeve të Agjencisë së Pronave. Në këtë rast, komisioni vendor merr vendim për pajisjen e tij me dokumentacion të ri ligjor. Vendimi i dërgohet, brenda 10 ditëve, SAMT-së në qark, i cili harton aktin e marrjes së tokës në pronësi, brenda 30 ditëve nga dita e mbërritjes së këtij vendimi. Parashikohet që të mos lejohet ofrimi i tokave bujqësore, të ish-Ndërmarrjeve Bujqësore, të cilat përjashtohen për kalim në pronësi nga dispozitat e ligjit të vitit 1995. Kur mbajtësi i titullit të pronësisë, të krijuar në mënyrë të kundërligjshme, refuzon ligjërimin e këtij titulli, pra që të paguajë për tokën që ka zënë, komisioni merr vendim për pavlefshmërinë e titullit të pronësisë. Ndërkohë, kundër këtij personi që vazhdon mbajtjen dhe shfrytëzimin e tokës bujqësore forcërisht, zbatohen sanksione të ashpra.
14 Gusht 2008