E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kardiologjia, mjekët harrojnë orarin e konsultave

• Ndonëse është pavijoni me numrin më të lartë të pacientëve, sërish bluzat e bardha nuk e vënë shumë ujin në zjarr që të paktën të zbusin radhët e gjata.

ZIRINA LLAMBRO

Në konsultat e shërbimit të Kardiologjisë, mjekët nuk paraqiten rregullisht sipas orarit të caktuar dhe të sëmurët qëndrojnë për orë të tëra duke pritur pas dyerve të dhomave të tyre. Ata madje janë ankuar edhe në drejtorinë e spitalit, e cila nga ana e saj nuk ka marrë asnjë masë për të përmirësuar situatën. Burime nga drejtoria bëjnë me dije se megjithëse pakënaqësitë e të sëmurëve janë vërtetuar, asnjë mbledhje me shefat e shërbimit e mjekët nuk është bërë për këtë çështje. Veç kësaj kanë munguar edhe vërejtje për të zbatuar grafikun e konsultave. Mesatarisht në pavijonin e Kardiologjisë paraqiten çdo ditë 50 persona për të marrë asistencë mjekësore. Sipas drejtorisë së QSU fluksi i pacientëve është i papërballueshëm si për urgjencën ashtu edhe për shtrimet në katin e dytë të spitalit. Në të tilla kushte, pranohen shumë pak shtrime e për rrjedhojë nuk është aspak çudi që të qëndrosh dy ose tre ditë në dhomën e urgjencës. “Kemi pasur raste kur të sëmurët i kemi mbajtur këtu sepse nuk ka pasur vende lart”, thotë njëra nga infermieret që punon në urgjencën e Kardiologjisë. Ajo pohon gjithashtu se kjo gjë nuk është aspak në dobi të pacientëve, pasi për t’u trajtuar ata duan qetësi e asistencë mjekësore dhe jo zhurmën e rastet, disa herë të rënda që paraqitën në urgjencë. “Të sëmurët shpesh rëndohen më keq kur i mbajmë këtu pasi, nuk e përballojnë numrin e madh të personave që hyjnë e dalin”, sqarojnë mjekët. Por ndërkaq mësohet se edhe urdhri i posaçëm i nxjerrë nga drejtoria për të tërhequr nga reanimacioni tre shtrime prej pavijonit të mjekësisë interne nuk zbatohet.

Vdekjet, 52 për qind nga sëmundjet e zemrës

Numri më i madh i vdekjeve në vendin tonë shkaktohet nga sëmundjet kardiovaskulare, që zënë 52% të këtyre rasteve. Ndërsa në vendet e tjera të Evropës kjo përqindje është disa herë më e ulët. Sipas mjekëve shkak për këtë situatë është bërë ndryshimi i stilit të jetesës, formës së të ushqyerit por edhe konsumi i duhanit dhe alkoolit. Sipas të dhënave statistikore vetëm për një vit rezulton se numri i vdekjeve nga zemra në spitalin “Nënë Tereza”, të jetë dyfishuar. Nga bluzat e bardha nuk është bërë ndonjë analizë e saktë për arsyet që kanë çuar në këtë situatë. Disa nga argumentet e tyre janë paraqitja me vonesë në ambientet e spitalit “Nënë Tereza”, ku asistenca mjekësore nuk ka mundur t’u shpëtojë jetën. Specialistët këshillojnë ruajtjen e një diete të shëndetshme ushqimore, si dhe mjaft aktivitet fizik për të pasur një zemër të fortë. Ndërkaq për ta i domosdoshëm është eliminimi i stresit, i cili ndikon shumë në shfaqjen e problemeve të tilla. Të sëmurët kronika nga zemra i vuajnë pasojat e sëmundjes edhe në stinën e nxehtë ,por edhe në dimër. Këshilla kryesore për ta është shmangia e daljeve në ambientet me temperatura ekstreme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›