E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kualifikimi i mësuesve, vitin që vjen vlerësim me kredite

• “Aplikimi me sukses i provimit të kualifikimit të mësuesve na nxit që vitin e ardhshëm t’i shtojmë atij elementë të tjerë që do të çojnë në rritjen e standardeve profesionale tek arsimtarët”.

 Kështu u shpreh dje në një deklaratë për mediat ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Genc Pollo. Sipas tij pritet që në testimin për 2009 për mësuesit të aplikohet sistemi i vlerësimit bazuar në kredite. Veç kësaj do t’i mëshohet më tepër edhe standardeve të mësueseve në punën e tyre. “Në të njëjtën mënyrë, që sivjet do të fillojë dhe kualifikimi i drejtuesve të shkollës, të cilët do të trajnohen dhe kualifikohen për një menaxhim profesional të shkollës, sipas kësaj metodologjie”, tha Pollo. Gjithçka është e bazuar në strategjinë e zhvillimit profesional të mësuesve, dokument ky që sipas MASH synon që provimet e mësuesve të kenë të njëjtat standarde si të nxënësve dhe sistemi i kualifikimit të funksionojë vërtet sipas parimit të pagës së meritës. “Kjo reformë po instalon një përvojë profesionale të aplikuar në vendet perëndimore, e cila e nxit mësuesin për të përmirësuar aftësitë profesionale, por nga ana tjetër e motivon dhe financiarisht atë. Me të u mbyllën përfundimisht kapitulli i praktikave abuzive të para 2006, kur shkalla e kualifikimit jo rrallë merrej kundrejt zarfit në dore”, tha dje ministri Pollo. Sipas tij me anë të kësaj reforme MASH ia doli që të fusë parimin e meritës përmes një testimi kombëtar të mësuesve, sipas procedurave rigoroze. Këtë vit të gjithë mësuesit u pajisën shumë kohë përpara testimit me programe kualifikimi, me literaturë profesionale. Risi këtë vit ka qenë Portofoli i Zhvillimit Profesional të Mësuesit, ku të gjithë ata, për tre muaj me radhë e përgatitën atë. Kjo është një praktikë shumë e njohur perëndimore, e cila në vendin tonë aplikohet për herë të parë. “I gjithë ky proces u dha siguri mësuesve për të marrë pjesë në testimin e fundit, ku pjesëmarrja është më e lartë këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar”, ka deklaruar ministri. Sivjet u hartuan 33 lloje testesh për të gjitha profilet e mësuesve që nga arsimi parashkollor, arsimi fillor, cikli i mesëm i ulët, arsimi i mesëm i lartë dhe arsimi profesional. Ata mësues që do të kualifikohen fitues, do të sigurojnë ngritjen në kategori dhe shtesën përkatëse në pagë, e cila varion nga 10%-20%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›