Karli dhe Kamila: pas martesës, në një film
12/04/2005 Një histori dashurie vërtet tronditëse ajo që ekziston ndërmjet princit Karl dhe Kamilës, një histori dashurie që pavarësisht nga vështirësitë e shumta, arriti të kapërcente më shumë se tridhjet vjet për t’u kurorëzuar më në fund me martesë. Ceremonia e martesës është celebruar ditën e shtunë, në një klimë të qetë, pavarësisht nga fatkeqësitë e tjera, të cilat kanë goditur botën këto kohët e fundit. Ceremonia e dyfishtë, ajo e zhvilluar në Komunën e Windsor dhe bekimi që u bë nga ana e arqipeshkvit të Canterbury, ka shënuar një moment të rëndësishëm, jo vetëm në jetën e çiftit, por edhe në atë të historisë së një monarkie, së cilës i është dashur që t’i nënshtrohet më së fundi një pasioni kaq tronditës dhe të vendosur. Bashkimi i trashëgimtarit të fronit mbretëror me dukeshën e Cornovaglias ka tronditur jashtëzakonisht opinionin publik, aq sa televizionet britanike kanë vendosur që ta shpalosin këtë, pikërisht në një film televiziv, i cili mësohet se do të titullohet: “Whatever Love Means”. Pikërisht ky film do të tregojë paralelisht jetën e çiftit të sapomartuar, duke nisur që nga periudha e kohës kur Karl u martua me princeshën Diana, në vitin 1981. Britanikët, të cilët u ngulën pranë televizorit për të ndjekur dasmën aq shumë të përfolur, kanë qenë më shumë se 7 milionë... Një shifër tepër e kënaqshme dhe e bindshme për producentët, që ta shndërrojnë atë në një film të ri televiziv!