E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karrigethyerit e penduar përballë qëndrestarëve

TIRANE- Mund të sillen e përcillen shumë prova, shembuj e emra që pohojnë se sot, një karrigethyer (kështu i quante
Berisha vite më parë ikurakët e tradhtarët e tij), i rikthyer më në fund në vathë, çuditërisht kushton e vlerësohet më tepër (me poste e ofiqe) se një qëndrestar partiak që nuk e ka dredhur bishtin. Duket sikur tek ne lufta e vërtetë politike nuk zhvillohet mes platformave e programeve të partive, por mes qëndrestarëve dhe karrigethyerve, e sidomos mes karrigethyerve të një partie me tjetrën. Tani kemi edhe parti që mund të quhen parti-karrigethyera, ndryshe nga disa vite më parë, kur të tillë quheshin vetëm disa individë “tradhtarë” të PD-së… Nj’ashtu si kemi jo pak raste kur një ish-komunist i tjetërsuar në demokrat u bë antikomunisti më i egër, po ashtu edhe një karrigethyer i penduar, gjasat i ka të shërbejë si një model imitimi për të vobektët apo si altoparlant propagandistik në duart e kryetarit të gjithëpushtetshëm të partisë… Një karrigethyer i penduar ndjehet më i dobishëm se një qëndrestar i bindur, sepse di të mbajë ndezur zjarrin e konfliktit, di të justifikojë e të motivojë për bukuri mungesën e kompromisit dhe intolerancën e ndërsjellë. Për këtë arsye, në të dy partitë kryesore, karrigethyerit, qofshin vetja, qofshin mini-parti, janë më të parapëlqyerit, më të mikluarit, më të kërkuarit e pse jo, edhe më të respektuarit...Aq më tepër e aq më mirë kur një parti-karrigethyer të ndihmon të vish në pushtet!
Kështu, një karrigethyer është i vetëdijshëm se vetëm duke e kthyer fletën mund të bëhet jo një, po disa herë deputet, sigurisht pa qenë e nevojshme të shfytyrohet e stërmundohet nëpër fushata zgjedhore, ashtu si një parti-karrigethyer mund të shpëtojë drejtuesit e saj nga të qenit në opozitë…; një ikurak i kthyer te partia mëmë, të cilën e pat tradhtuar, si shpërblim mund të bëhet ministër, herë prej të djathtëve e herë prej të majtëve…Për këtë shkak, një karrigethyer sot vlerësohet si më i dobishëm se një qëndrestar, për arsyen e thjeshtë se i pari, karrigethyeri, plangprishësi, bukëshkali, mosmirënjohësi, ish-tradhtari, edhe sikur të dojë, nuk ka mundësi të ketë skrupuj, turp, drojë, nder dhe integritet moral pas dorëzimit pa kushte te ish-armiku i partisë, d.m.th, pas kthimit në tabor… Një karrigethyer i tillë mund të përdoret kollaj si mish për top nëpër betejat e ashpra mediatiko-politike, si një argument më shumë kundër armikut të partisë e veçanërisht të kryetarit. Kjo është prova e zjarrit edhe për mini-partitë-karrigethyera të futura nëpër “koalicione” e aleanca deledash, pas dështimit në zgjedhje të kryetarëve të tyre “historikë”!...Afërmendsh, pa këtë zjarr përvëlonjës, karrigethyerit, qofshin kryetarë, ish-kryetarë, apo ish-VIP-a, me siguri që do të ishin sa të panevojshëm, aq edhe të padobishëm.
Kështu, nëse Këshilli i Evropës e ka seriozisht kur ditët e fundit kërkoi nisjen e dialogut mes dy palëve, mes PD dhe PS, do të bënte mirë që këtë t’ua kërkonte më së pari karrigethyerve të dy poleve, të cilët, pavarësisht kërkesave të ndërkombëtarëve, nuk rreshtin së hedhuri benzinë e tritol zjarrit të tensioneve e mosmarrëveshjeve…!

Fjala e një karrigethyeri kundër ish- shefit të tij të djeshëm (të cilit deri dje i pat shërbyer me po aq zell e përkushtim) duket sikur peshon, djeg e përcëllon ku e ku më tepër opinionin publik se polemikat dhe retorikat e një qëndrestari të ndershëm e stoik, i cili, për njëzet vjet rresht e ka pas bërë luftën me të njëjtat “armë”, flamur, kult dhe uniformë...Pikërisht kjo bindje e ka rritur skajshmërisht çmimin e një karrigethyeri në tregun e sotëm mediatiko-politik! Ja pra, përse sot nëpër betejat e egra politike po hidhen aq shumë skuadra e reparte karrigethyerish: sepse besohet që nëpërmjet tyre efekti propagandistik “kundër” ka për të qenë më i madh. Kështu, një që dorëzon publikisht teserën e PS-së për të shkuar në LSI dhe anasjelltas, apo ai që deri dje ka qenë kryesor në radhët e PD-së e sot bashkohet me protestat e PS-së, sigurisht që do të përfitojë më shumë emër dhe vlerësim se sa një militant që nuk e ka këmbyer kurrë teserën dhe përkatësinë politike. Ja përse bëhet bujë, edhe më tepër se përmbytjet e Shkodrës, kur disa militantë “vullnetarisht” kalojnë në tufë nga një parti te tjetra! Por, merita më e padiskutueshme e karrigethyerve në shoqërinë e sotme, padyshim mbetet fakti se më në fund, pas njëzet vjet pluralizëm, u fshinë dhe u rrafshuan kufijtë dhe sinoret historikë e klasikë mes të djathtës e të majtës, falë dukurisë së rëndomtë të kalimit të “ylberit” partiak. Ikja nga një parti te tjetra tashmë duket si një veprim i lehtë, më se i natyrshëm, por jashtëzakonisht i frytshëm dhe, natyrisht, edhe i “moralshëm”… Falë kësaj dukurie të stërpërsëritur, sot quhet vlerë, aftësi, zgjuarsi dhe meritë e veçantë kur dikush, në vend që të ndërrojë si dikur fenë, dava më mirë po t’i japë dum e të ndërrojë jo një, por disa parti e disa kryetarë… Konvertimi partiak sot quhet biznesi dhe investimi më frytdhënës.
Në çdo qytet e katund, le më pastaj në kryeqytet, çdokujt i jepet mundësia dhe lehtësia të bishtnojë e të tradhtojë politikisht e më pas edhe të dalë i fituar, i kamur e i nderuar, duke siguruar një vend pune… Për këtë duhen dhënë prova se je i aftë të mbash ndezur konfliktin dhe papajtueshmërinë mes palëve, mes pozitës dhe opozitës, të shash e të përbaltësh “armikun” pa e bërë hiç qejfin qeder, veçanërisht ata që deri dje ke lëvduar si dhe të himnizosh atë/ata që ke pas pështyrë e mallkuar publikisht. Pas këtij shërbimi, karrigethyerit mund të shpërblehen me poste, me prona, me tituj, me grada, me legalizim e privatizim, me ndere, podiume e favore! Ndaj, një qëndrestar i zhgënjyer përballë një karrigethyeri të tillë të suksesshëm, në mos do ta quajë veten budalla, me siguri miqtë e tij do ta cilësojnë një naiv të pandreqshëm e të padobishëm!
Karrigethyerit, duke qenë edhe të shumtë, edhe të suksesshëm, i kanë dhënë e po i japin demokracisë dhe pluralizmit shqiptar një kuptim kryekrejt tjetër nga ai që patën përfytyruar qytetarët nën diktaturë: sot, në këtë gjasme-demokraci, sipas shembullit të tyre, u dashkërka t’i thuash derrit dajë dhe dajeshës dosë, mjaft që të dalësh i fituar, duke mbetur kësisoj gjatë në politikë e në pushtet! Këtë “shkathtësi” pafytyrësie disa e quajnë pragmatizëm, disa mençuri, disa dalin e thonë se liria e zgjedhjes qenka një e drejtë e natyrshme që të jep liri-demokracia… Por, e vetmja gjë që nuk merret parasysh në këtë lloj justifikimi kaq vulgar është padyshim detyrimi për të qenë sadopak i moralshëm e i përgjegjshëm para zgjedhësve, para popullit, para publikut!
Kjo e ka bërë politikën tek ne veprimtarinë më të paturpshme, më të paskrupullt e më të pamoralshme! Ja përse kriza morale, ndjesia e mosbesimit te gjithkush e te gjithçka, bashkë me shtimin e neverisë kolektive ndaj gjithë liderëve, sa vjen dhe po e përkeq shoqërinë tonë…

Në kuturunë e sotme nuk qenka hiç e nevojshme të transformohen programet, statutet, të mblidhen forumet apo kongreset për të devijuar ose jo vijën e partisë, për të afruar spektret politikë drejt qendrës, madje për të shuar dallimet mes të djathtës e të majtës, d.m.th, që e majta të bëhet e djathtë dhe anasjelltas, pasi për këtë mjafton thirrja, lançimi, aktivizimi dhe përfshirja në lëvizje e në proces e disa karrigethyerve në mënyrë që ky qëllim të kryhet me një lehtësi e shpejtësi të habitshme. Kjo, sepse zullumet sociale e politike u leverdisin më së pari karrigethyerve, pasi vetëm në një situatë të tillë, të acaruar e të tensionuar ata mund të jenë aktivë, ndikues, të dobishëm, por edhe se kësisoj kapërcimi i hendekut, që i majti të transformohet në të djathtë dhe anasjelltas, të mos duket si harakiri, por si një veprim normal dhe i moralshëm. Vetëm në një klimë të tillë mospajtimi e tensionesh, kryetarët e partive kryesore mund të bëhen të pazëvendësueshëm dhe jetëgjatë! Prandaj, ashtu si gjahtari ushqen zagarët dhe një natë para gjuetisë i lë pa ngrënë (në rastin konkret pa i bërë deputetë), edhe karrigethyerit përdoren prej kryetarëve përkatës të partive si objekte të domosdoshme për kurthe e pusira, d.m.th, për gjueti politike.
Ja përse tranzicioni ynë nuk paska anë e fund e po kërkon kaq shumë kohë të humbur dhe kosto. Tashmë nuk mund të mohohet që ne mbetëm më të fundit në Ballkanin Perëndimor, madje edhe pas Bosnjës…(?!) Sipas Komisionit Evropian, Shqipëria politike nuk i paska kryer të katër blloqet e Udhërrëfyesit, ngaqë mungon konsensusi në miratimin e ligjeve…E kjo është një provë më shumë se karrigethyerit tanë kanë qenë, janë e do të jenë edhe në këtë drejtim më influentët e më të suksesshmit… Sepse, ata janë mëtonjësit kryesorë të destabilizimit, të tensioneve, të mosmarrëveshjeve dhe të konfliktit, d.m.th, të humbjes e të ikjes në drejtim të paditur të Udhërrëfyesit!
Dhe, për këtë duhen “fali-me-nder-uar” jo vetëm qëndrestarët kokëfortë e trushkulur të partive, po sidomos karrigethyerit tanë sa të paepur, aq edhe të pacipë!

(G.SH/ BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›