E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karta e Bolonjës, hartohen masterat e rinj

 

Flet dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj: Larmi kurrikulash, larmi zgjedhjesh për studentët

TIRANË - Shkollat e larta kanë hartuar programet e reja për masterat e Bolonjës. Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Shezai Rrokaj, në një intervistë për gazetën "Shekulli" sqaron se këtë vit janë duke përgatitur sistemin e diplomave të nivelit të dytë dhe Masterat e nivelit të parë dhe të dytë. Të gjitha këto, sipas Rrokajt, kanë kaluar në Këshill, prej andej në Senat e në fund, për miratim në Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Për studentët, ka disa mundësi zgjedhjeje, sipas profileve që ata i gjykojnë si të përshtatshme. Por, të jesh student me Sistemin e Bolonjës nuk është dhe aq e lehtë. Në radhët e studentëve nuk ka shumë informacion në lidhje me Bolonjën. Ndonëse ka studentë që po mbarojnë vitin e tretë, ata ende nuk janë shumë të informuar. Ata shprehen se ende nuk kuptojnë se çfarë përfaqëson një kredit në sistemin e vlerësimit.

Cilat janë mundësitë për një student që mbaron këtë vit sipas Kartës së Bolonjës?

Ne kemi hartuar kurrikulat dhe tashmë jemi në pritje që të miratohen ato që kemi hartuar. Kemi punuar për një larmi kurrikulash, në mënyrë që të ketë zgjedhje të shumta për studentët. Në këtë mënyrë, ne u japim shanse studentëve dhe u përgjigjemi edhe kërkesave që ka tregu. Studentët që mbarojnë sistemin trevjeçar dhe pajisen me diplomën Bachelor mund të vazhdojnë Masterin e nivelit të parë dhe të zgjedhin midis disa profileve. Brenda masterit të nivelit të parë do të kemi; mësuesi, redaktori, arkivistikë, arkeologji, menaxhim territori, turizëm etj.

Janë përcaktuar kriteret që duhet të plotësojë një student për Master?

Kriteret që kemi përcaktuar për pranimin në Master do të jenë të përgjithshme. Kështu, për Masterin e nivelit të parë duhet të kesh diplomën e nivelit të parë. Për Masterin e nivelit të dytë, duhet të kesh fituar diplomën e nivelit të dytë. Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë nuk ka vënë kritere specifike që duhet të plotësojnë studentët për t'u cilësuar fitues, si mesatarja apo kritere të tjera të këtij lloji. Gjithçka do të varet nga kërkesa dhe oferta. Ndërkohë që numri i pranimit të studentëve për Master do të varet nga mundësitë akademike dhe infrastrukturore.

Si do të veprohet me studentët që kanë mbaruar para 2008-ës?

Të gjithë ata që kanë mbaruar para këtij viti, regjistrohen në Doktoraturë. Kjo përfshin Master të nivelit të dytë dhe jo më pak se dy vjet kohë të nevojshme për përgatitjen e doktoraturës. Ata që kanë bërë tre vjet, sivjet kanë të drejtë të ndjekin Master të nivelit të parë dhe të dytë. Ata që kanë mbaruar katërvjeçarin ekuivalentohen me masterin e nivelit të parë dhe diplomën e nivelit të dytë.

Sa të informuar mendoni se janë studentët lidhur me Sistemin e Bolonjës?

Presim që të miratohen kurrikulat që ne kemi hartuar, ndaj nuk mund të japim shumë informacione për një kurrikul që ende nuk është aprovuar. Para një jave ne kemi mbledhur studentët dhe kemi bërë shpjegime lidhur me sistemin. Megjithatë, studentët nuk duhet të presin që t'i shkojnë e t'i informojnë. Ata duhet ta kërkojnë vetë informacionin. Studentët mund të gjejnë informacione në adresën e universitetit, ndërkohë që ne jemi duke punuar për faqen e internetit dhe për guitën, në mënyrë që studentët të informohen mbi aktet normative, statutet, rregulloret etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›