E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri edukator

 

Riedukim për Mulliqin, shpërblim për Shimën. Rrokada e shkarkimit dhe e emërimit në Galerinë Kombëtare të Arteve si identifikim i problemeve me emra të posaçëm. Institucioni që është shtyrë në zgrip të shkatërrimit, në shtatë vjet ka ndërruar pesë drejtorë

Rubens Shima bëhet drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, post që deri dje e mbante Genc Mulliqi kurse ky i fundit kalon nëndrejtor, post që deri dje e mbante Shima. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, ka bërë dje këtë rrokadë drejtuesish që nuk funksionon ka dy vjet. Burime brenda galerisë pohuan se shkarkimi që në të vërtetë nuk është shkarkim, por masë disiplinore për njërin dhe shpërblim për tjetrin, është bërë në prani të një pjese të stafit të GKA-së.

Pango ka dërguar një nga këshilltarët për të bërë prezantimin e drejtuesve që, t'i quash të rinj do të ishte qesharake. Këshilltari i ka vënë përballë njëri-tjetrit dhe (po ta imagjinonim skenën duhet t'jua ketë ngritur duart lart, t'jua ketë tokur siç bën me duart me doreza trajneri me boksierët pas gongut ku njëri hidhet përpjetë prej fitores, ndërsa tjetrit nuk i del inati) pa dhënë asnjë motiv për ndryshimin. Në fundtë fundit, pritejlargimi i njërit nga të dy, po kurrsesi kjo vënie kësulash që shpërblen atë që përflitet për abuzime deri financiare dhe lë në detyrë një tjetër që në bazë të kontrollit të auditit të një viti më parë ka marrë paralajmërim për pushim nga puna.

Askush që e njeh sadopak gjendjen e GKA nuk bën dot sikur nuk kupton. Gjendjaështë pasojë e emrave të përveçëm për aq sa këta emra kanë kontribuar në heqjen e gurit të radhës nga themelet e GKA. Gjendja e Galerisë nuk është pasojë e emrave të përveçëm për aq sa një ministër vazhdon t'i lërë këta drejtues në detyrë.

Një burim tjetër i stafit të arteve pamore tha i shqetësuar se kjo që po ndodh është tallje me institucionin dhe me njerëzit e tij. "Nëse "ndëshkim" për njeriun që ka drejtuar deri tani Galerinë është që ta bësh atë nëndrejtor, do thotë prapë tallje. kështu po paralizohet puna, ajo pak që është ndërtuar po shkelet me këmbë. Ai drejtor që vjen nuk pyet për punën e paraardhësit. Ndërsa për ne punonjësit ky është presion psikologjik, shkatërrim nervash, bllokim i punës".

"Riedukimi" për Mulliqin dhe "shpërblimi" për Shimën është një tregues i degjenerimit të problemeve të galerisë në shumë nivele: drejtimi, politike, gjenerimi, idesh, imazhi dhe në nivel fizik të fondeve dhe eksponateve.

Institucioni që është shtyrë në zgrip të shkatërrimit, në shtatë vjet ka ndërruar pesë drejtorë. Që nga viti 2001 deri më sot, në krye të saj kanë qenë Gëzim Qendro, Abaz Hado, Nestor Jonuzi, Genc Mulliqi dhe Rubens Shima. Por emërimi i fundit është një rast që bën përjashtim. Ja ku Shima e arrin atë degë që nuk e kapi që me kërcimin e parë. Kur u ndërruan qeveritë ai priste postin e drejtorit, madje tre vite të shkuara shpallte në shtyp një strategji për galerinë, e megjithatë është sjellë si drejtor: është vetëshpallur dhe ka organizuar dy aktivitetet më të mëdha, Onufrin, nga ana tjetër si titullar ai ka po aq përgjegjësi për çfarë ka ndodhur.

Sa më shumë kohë të kalojë do të vazhdojmë të flasim për të njëjtën gjë që s'ndryshon, për galerinë ku s'ndodh një ngjarje për të qenë, ku ambasadat e trajtojnë si qoshe për të propaganduar politikën kulturore të vendeve të tyre, ku shoqata nga më të çuditshme do ta marrin për pak orë qira për koktejle me qofte dhe raki.

Ministri i Kulturës, Ylli Pango, nuk po kërkon përgjegjës, sepse ai vetë nuk e di çfarë duhet të kërkojë nga Galeria Kombëtare e Arteve. Kur është përpjekur njëherë ta përkufizojë misionin e tij tha: unë s'jam ministër që merrem me paratë, unë bëj politikë. Emërimet e zotit Pango janë politikë e pastër, përderisa janë arbitrare, pa argumente dhe fyese edhe për atë që nuk punon për një institucion shtetëror si Galeria. Janë fyese për atë ndjenjë qytetare që beson se shteti nuk është pazar i gjësë së gjallë.

"Nëse "ndëshkim" për njeriun që ka drejtuar deri tani Galerinë është që ta bësh atë nëndrejtor, do thotë prapë tallje. kështu po paralizohet puna, ajo pak që është ndërtuar po shkelet me këmbë. Ai drejtor që vjen nuk pyet për punën e paraardhësit. Ndërsa për ne punonjësit ky është presion psikologjik, shkatërrim nervash, bllokim i punës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›