Kreditë e këqija, arrijnë në 80 milionë euro
Banka e Shqipërisë raporton se në vitin 2007 u shtuan 31.5 milionë euro kredi të këqija
Sistemi bankar në Shqipëri shënoi një vit tjetër negativ përsa i përket kredive të këqija, raportoi dje Banka e Shqipërisë në Parlament. Sipas raportit, kredia e keqe arriti në fund të vitit të kaluar në 3.4% të totalit të kredive, ndërsa në dhjetor 2006, qe 3.1% e totalit. Në bazë të statistikave, kreditë e këqija arritën në 80 milionë euro, me një rritje prej 65% në krahasim me vitin 2006, kur portofoli i kredive të këqija qe 48 milionë euro. Rritja e kredive me probleme gjatë viteve të fundit, ka qenë shumë më e shpejtë sesa rritja e portofolit të kredive. Gjatë vitit të kaluar, kreditë totale arritën në 2.35 miliardë euro, me rritje 50% kundrejt vitit 2006, ndërkohë që kreditë e këqija u rritën me 65%. Termi "kredi të këqija" nënkupton kreditë e humbura. Por Banka e Shqipërisë ka edhe një tregues tjetër, që përmbledh "kreditë me probleme", kredi që janë vonuar më shumë se një muaj, që janë në ndjekje ose që konsiderohen të humbura. Ky zë përbën 8% të totalit të kredive ose rreth 200 milionë euro. Kreditë në ndjekje, janë rritur me 100 milionë euro vetëm gjatë vitit 2007.
Situatë më e keqe për të ardhmen
Sipas ekspertëve të bankave, kreditë e këqija të sotme, reflektojnë pasojat e kredive të dhëna 3-6 vite më parë. Duke marrë parasysh se në atë kohë portofoli i kredisë ka qenë shumë më i vogël sesa sot, problemi vlerësohet më i rëndë. Ecuria e një kredie (veçanërisht kredia afatgjatë), dallohet vetëm pasi të kalojnë disa vite. Gjatë tre viteve të fundit, kreditimi në Shqipëri është rritur me ritëm marramendës. Nga 560 milionë euro që qenë kreditë totale në vitin 2004, sot kanë arritur në 2.35 miliardë. Defektet në dhënien e kredive të tre viteve të fundit, besohet se do të fillojnë të shfaqen në vitet në vijim.
Konkurrencë e ashpër dhe programe ambicioze
Bankat po veprojnë aktualisht nën trysninë e konkurrencës dhe nën trysninë e objektivave të larta në shtimin e kredisë. BSH vëren se gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar, pati një shtim të fortë të kreditimit. Vetëm gjatë muajit dhjetor, u dhanë 15 miliardë lekë kredi e re, kryesisht për shkak se bankat synuan të realizojnë objektivat e veta para mbylljes së vitit. Hapja e konkurrencës si pasojë e privatizimit, thuajse e dyfishoi portofolin e kredisë së sistemit bankar në vitin 2005, si dhe e rriti me 65% në vitin 2006.
BSH, ka dy vite që përpiqet të kufizojë ekspansionin e kreditimit, për shkak se një ritëm kaq i madh i rritjes mbart rrezikun e kredive të këqija. Megjithatë, BSH pranon se masat e saj nuk kanë qenë aq të efektshme sa duhej në frenimin e kreditimit, kryesisht për shkak se normat e fitimit të bankave për kreditë mbeten më tërheqëse sesa masat frenuese të BSH. Ndaj kredive të këqija, bankat reagojnë duke mbuluar me provigjone kredi të dyshimta. Provigjonet gjatë vitit 2007 u ul në 2.7% të totalit të portofolit në krahasim me 2.8% që qe në fund të vitit 2006.
Individët, kredimarrës më të rregullt se biznesi
Sipas statistikave, gjatë vitit të kaluar, kredimarrësit individë regjistruan më pak kredi nënstandarde sesa kredimarrësit kompani. Rreth 4.6% e kredimarrësve individë rezultojnë në ndjekje ose të humbura, ndërkohë që në këtë kategori hyjnë 6.65% e kredive për kompanitë. Gjithsesi, të dyja kategoritë, kanë norma moskthimi kredish më të larta për vitin e kaluar. Bankat kanë parapëlqyer kreditë për individët edhe gjatë vitit të kaluar. Rreth 35% e portofolit të kredive ose 840 milionë euro janë marrë nga individët.
Më shumë para, më pak investime
Edhe gjatë vitit të kaluar, asetet e bankave u rritën më shpejt sesa kapitali. Për pasojë, bankat menaxhojnë më shumë para të klientëve në raport me kapitalin e vet të rrezikuar. Raporti i investimeve me asetet në sistemin bankar ka shqetësuar gjithmonë Bankën e Shqipërisë, e cila vazhdimisht është përpjekur të detyrojë bankat të rrisin kapitalin e vet. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit, që është treguesi i aftësisë së bankës për të mbuluar me kapitale të veta humbjet e mundshme nga aktiviteti, ra edhe më tej gjatë vitit të kaluar, kryesisht si pasojë e rritjes së shpejtë të aseteve.
Megjithatë, fitimet rriten
Pavarësisht rritjes së kredive të këqija, fitimet e sistemit bankar pësuan rritje gjatë vitit të kaluar. Të gjitha bankat së bashku, realizuan fitime në masën 9.2 miliardë lekë (rreth 75 milionë euro). Sektori bankar bëhet kështu një nga sektorët më fitimprurës në vend, duke u krahasuar me sektorin e telefonisë. Norma e fitimit përkundrejt kapitalit u rrit gjatë vitit të kaluar duke arritur në 20.7%, ndërsa fitimi, në raport me asetet, arriti në 1.6%. Fitimet e bankave gjatë vitit të kaluar u rritën fort jo vetëm nga të ardhurat dhe interesat, por edhe nga të ardhurat nga shërbimet. Pothuajse të gjitha bankat vendosën gjatë vitit të kaluar një pagesë fikse për mirëmbajtjen e llogarisë rrjedhëse, si dhe komisione për pagesat e faturave telefonike e faturave të tjera. Rritja e kostos së shërbimeve bankare u favorizua edhe nga disa vendime të qeverisë, vendimi për lëvrimin e pagave të sektorit publik përmes bankave si dhe detyrimin e sektorit privat për të shlyer detyrimet, përfshirë edhe pagat, po përmes bankave. Këto masa vlerësohet se kanë dërguar me detyrim në sportelet e bankave me qindra-mijëra shqiptarë. Për shkak se gjithçka u bë me vendim qeverie e jo me zhvillim të tregut, shqiptarët u detyruan të paguajnë komisione për të gjitha veprimet bankare.
Trysni për rritjen e fitimeve
Gjatë viteve të shkuara, shqiptarët përfituan shërbime bankare pa kosto, ose me kosto të ulët, kryesisht për shkak se synimi i bankave qe ekspansioni. Një numër i madh të rinjsh të sapodiplomuar ose jo, e patën të lehtë të gjejnë një vend pune. Sektori bankar punëson mbi 3 mijë vetë. Tashmë besohet se pjesa dërrmuese e bankave e kanë mbyllur fazën e ekspansionit. Vetëm disa banka vijojnë politikën e hapjes së degëve e agjencive të reja. Shumica tashmë janë përqendruar në rritjen e fitimeve. Disa banka kanë filluar sakaq të transferojnë dividentët nga Shqipëria për në vendet e origjinës së kapitalit të investuar. Rritja e trysnisë së aksionerëve mbi bankat për shtimin e fitimeve, ka sjellë edhe gatishmërinë e drejtuesve të bankave për t'iu drejtuar metodave gjysmë ligjore ose krejtësisht të paligjshme në mbledhjen e të ardhurave. Komisionet për shërbimet e ndryshme vendosen ose shtohen pa lajmërim paraprak të klientit dhe në shumë raste, ndryshimet e kushteve kontraktuale pothuajse nuk dallohen dot nga klienti. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e tij të fundit, vuri në dukje se Banka e Shqipërisë ka mbetur prapa sektorit bankar përsa i përket zhvillimit. Veçanërisht, vihet në dukje fakti se mbrojtja e konsumatorëve nga veprime jo të ndershme ose të parregullta të bankave, është një politikë sot për sot e panjohur në Shqipëri.