E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria urdhër Telecomit: Dorëzo faturat te qytetarët



nertila maho

Albtelecom-it do t'i duhet të tërhiqet nga praktika e mosdorëzimit të faturave për telefoninë fikse në vendbanimet e abonentëve të tij. Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve gjatë mbledhjes së tij të fundit, në datë 1 të këtij muaji, vendosi që sipas dispozitave që i jep ligji të detyrojë Albtelcom sh.a, të zbatojë detyrimet që ka ndaj qytetarëve. Kompania prej disa muajsh nuk dorëzon faturat pranë qytetarëve duke i lënë pezull edhe pagesat. Nga ana e tyre, qytetarët kanë qenë të parët që janë ankuar mbi këtë praktikë të re të kompanisë, duke e cilësuar këtë si të padrejtë. Po kështu kanë reaguar edhe Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Pavarësisht kërkesës për zbatim të ligjit, që është lakuar gjatë këtyre muajve, Albtelecom nuk ka parë të arsyeshme t'i rikthehet shpërndarjes së faturave në vendbanime, duke "harruar" kështu detyrimet ndaj qytetarëve. Indiferenca e kompanisë së telefonisë fikse ka sjellë edhe mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve. Ky i fundit përmes një shkrese kishte kërkuar që Albelecom të ishte prezent gjatë mbledhjes së fundit, por asnjë përfaqësues i kësaj kompanie nuk mori pjesë. Në këtë situatë, Komisioni shqyrtoi çështjen dhe vlerësoi praktikën e ndjekur nga Albtelecom, në kundërshtim me dispozitat e ligjit "Për mbrojtjen e konsumatorit". Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit përbëhet nga pesë anëtarë. Dy janë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, një përfaqësues nga Avokati i Popullit, një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë dhe një përfaqësues i pavarur. Ai mblidhet nga Kryeministri përgjithësisht për çështje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e konsumatorit. Sa i përket Albtelecom, 76% e aksioneve të kësaj kompanie, janë në pronësi të dy kompanive të huaja, çalik dhe Turk Telekom.

Në korrik rritet pajtimi mujor

Nga një korriku, pajtimi mujor i telefonisë fikse do të rritet me rreth 1 mijë lekë. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Pirro Xhixho, gjatë prezantimit të raportit vjetor të 2009-ës, para Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese disa javë më parë. Sipas tij, rritja e tarifës së pajtimit është shtyrë për një korrik nga marsi që ishte parashikuar. "Rritja është rreth 1 mijë lekë. Ne jemi detyruar të bëjmë këtë rritje të fundit pasi është një akt, i cili duhet të përfundojë. Për sa i përket pajtimit mujor, nëse do dalim me një analizë që po bëjmë ne për ofertat referencë, nga 385 lekë që është sot, ka rrezik të kërkojë 442 lekë, ndërkohë që studimi i mëtejshëm i operatorit mund ta çojë deri në 7-8 euro", informoi Xhixho.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›