E Hënë, 2 Nëntor 2026

Stojku: Në prill, 17 milionë euro nga energjia



Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, Korporata Elektroenergjetike shqiptare ka siguruar 40 milionë euro nga shitja e energjisë, ndërkohë që për prillin pritet të sigurojë 17 milionë euro të tjera. Gjatë një konference për shtyp, kreu i KESH Muharrem Stojku dha detaje lidhur me situatën energjetike në vend. "Për tre muajt e parë të këtij viti, ne kemi eksportuar 900 milionë kilovat energji dhe së bashku me eksportin e muajit prill, sasia e kalon 1.3 miliardë kilovat orë", tha Stojku. Sipas tij, të ardhurat që po sigurohen nga eksporti i energjisë po përdoren për të shlyer borxhet. "Në momentin që po flasim kemi paguar 6 miliardë lekë borxhe dhe deri në fund të vitit kemi planifikuar të paguajmë deri në 10 miliardë lekë. Bëhet fjalë për gjysmën e borxheve që ka KESH-i i Qeverisë, për import energjie gjatë vitit 2007 dhe 2008" u shpreh drejtori Stojku. Më pas, ai u ndal edhe në situatën në kaskadën e Drinit, duke konfirmuar se aktualisht niveli i Fierzës është 295 metra një metër më pak se maksimalja. "Ndodhemi afër kuotës maksimale që për këtë periudhë është 296 metra, ne nuk do të derdhim ujë, por do të prodhojmë në nivele maksimale. Duke filluar nga data 7 prill do të rrisim eksportin e energjisë elektrike mbi 14.5 milionë kilovat orë", tha kreu i KESH.
TEC-i Vlorë
Termocentrali i Vlorës do të vihet në punë për kondensim, duke filluar nga data 12 prill. Provat për këtë TEC, të cilat pritej që të zhvilloheshin më herët, janë shtyrë për shkak se ka pasur prodhim maksimal në hidrocentrale. "Në punë, për prodhim energjie me qëllim furnizimin e pjesës jugore të vendit, ky TEC do të vihet për tre muajt e thatësirës pra gusht, shtator dhe tetor. është e vërtetë që energjia që prodhohet nga TEC-i i Vlorës ka një çmim prej 13 lekë për kilovat orë por unë nuk jam me tezën që TEC-i nuk duhet, pasi ai shërben si rregullator për liqenin e Fierzës dhe kaskadës", u shpreh Stojku. Ky reagim i kreut të KESH vjen vetëm një javë pas reagimit të kreut të ERE-s, Bujar Nepravishta, i cili gjatë raportimit në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese u shpreh se TEC-i i Vlorës punon me naftë diesel dhe si rezultat kostoja e energjisë është shumë e shtrenjtë prandaj ai mbetet një vepër rezervë.

Situata energjetike

Eksporti janar-mars 40 milionë euro
900 milionë kwh
Eksporti Prill 17 milionë euro
400 milionë kwh
Borxhi i shlyer 6 miliard lekë
I pashlyer 10 miliardë lekë
Fierzës aktualisht 295 metra
Maksimalja 296 metra
Kostoja e TEC-it 13 lekë për kwh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›