E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Nano t’i shërbejë Ramës, që të mos shkëputet nga politika



Gramoz Ruçi, sekretar i përgjithshëm i Asamblesë së Partisë Socialiste, mendon se ish-kreu historik i kësaj partie, Fatos Nano, duhet t’i shërbejë lidershipit aktual në mënyrë që të mos shkëputet nga politika. Në një intervistë dhënë dje për “Tv Koha”, Ruçi tha se si bashkëpunëtor i vjetër i Nanos, i këshilloi këtij të fundit se duhet të japë një kontribut në parti në mënyrë që të mos shkëputet prej saj. “Zoti Nano përcakton vetë mënyrën për të bërë politikë, përcakton vetë ambiciet. Unë kam qenë bashkëpunëtor me të, ashtu siç kam bërë vlerësimet, si dhe kur ai u largua nga drejtimi i partisë. Nano mund të japë kontribut në parti që të mos shkëputet nga PS-ja”, - u përgjigj shkurt Ruçi pyetjes së gazetarit për mundësinë e rikandidimit të Fatos Nanos. Duke qëndruar në listën e deputetëve, Ruçi tha se PS-ja është në hapat e fundit të përcaktimit të kandidatëve për deputetë. Por ai shtoi se këto lista nuk do të bëhen publike deri në momentin kur një gjë të tillë e përcakton ligji. “Jemi në hapat e fundit për përcaktimin e kandidatëve për deputetë, por do të bëhen publike në datën 15, ashtu siç është përcaktuar”, - tha Ruçi. Në listën e PS-së, sipas tij, do të ketë 30 për qind gra, si dhe një ndërthurje mes figurave historike të PS-së dhe prurjeve të reja në parti që kanë ardhur gjatë lidershipit të Edi Ramës. “Në listën e kandidatëve do të jenë 30 për qind gra dhe kjo, jo se duhet plotësuar kuota. Në këtë listë do të ketë emra tradicionalë të PS-së, por edhe prurjet e reja që kanë ardhur”, - deklaroi dje Gramoz Ruçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›