Lejet e ndërtimit, Topalli: Rama favorizon miqtë e tij
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, sulmoi dje që nga Bushati kryesocialistin Edi Rama për klientelizimin me lejet e ndërtimit, ndërsa i kujtoi se PD-ja po rrit pagat dhe pensionet, kurse ai taksat e shqiptarëve. Në vijim të turit të saj nëpër zonat e ndryshme të Shqipërisë, u ndal në Komunën Bushat, nga ku sulmoi ashpër kreun e PS-së, Edi Rama. Znj. Topalli informoi banorët e kësaj komune se Rama ka thyer rekord me dhënie lejesh ndërtimi, tek miqtë dhe dashamirësit e tij. Ajo vuri në dukje se “në 9 vjet kryetari i Bashkisë së Tiranës ka thyer vetëm rekordin e lejeve të ndërtimit, ka thyer vetëm rekordin e dhënieve të këtyre lejeve për miqtë dhe dashamirësit e tij. Ju e kuptoni cili është kontrasti, ju e kuptoni cila është diferenca, ju e kuptoni kush e ka seriozisht, ju e kuptoni kush e do vërtet këtë vend, kush e do Shqipërinë tonë”. Sipas kryetares së Kuvendit, Rama vepron krejt ndryshe nga sa thotë, pasi sipas saj, ai ka rritur taksat ndërsa ka punuar vetëm me fasada ndërtesash. “Në 4 vjet ne kemi rritur rrogat, ne kemi rritur pensionet, kurse në 9 vjet kryetari i Bashkisë të Tiranës ka rritur vetëm taksat. Ne kemi ndërtuar dhe po vazhdojmë të ndërtojmë në çdo cep të Shqipërisë, ndërsa në 9 vjet, Edi Rama në fakt u mor vetëm me fasadat dhe nuk arriti të ndërtonte as qendrën e kryeqytetit tonë, Tiranës”, - deklaroi Topalli. Një tjetër pikë ku Topalli sulmoi Ramën, ishte edhe arsimi, që kreu i PS-së e ka një nga pikat kryesore të programit elektoral. Ajo tha se Rama nuk ka mbajtur premtimet për arsimin në kryeqytet, ndërsa vuri në dukje se “në 4 vite ne ndërtuam 1600 shkolla të reja apo të rikonstruktuara, një shifër rekord në shërbim të fëmijëve dhe të arsimimit të tyre”. Në Komunën e Bushatit Topalli mori pjesë në inaugurimin e rrugës së Ashtës, pjesë e investimeve prej 700 milionë lekë nga buxheti i shtetit për këtë zonë. Ajo premtoi se projektet më të mëdha në infrastrukturë, arsim e shëndetësi do të realizohen në mandatin e ardhshëm. Nënkryetarja e PD-së kërkoi votën më 28 qershor, në mënyrë që sipas saj, të ndërtohen të tjera vepra të mëdha në mbarë vendin.