Starova: PS, rikthim tek e shkuara moniste
Kryetari i PBLD-së, Arian Starova, denoncoi dje mashtrimin e madh që kryetari i PS-së, Edi Rama, po u bën shqiptarëve. Kjo, sipas tij, për faktin se slogani i lidershipit socialist “Përtej së majtës e së djathtës” do të thotë rikthim tek e shkuara moniste. Pikërisht për të mos lejuar këtë, Starova argumentoi domosdoshmërinë e marrjes së një mandati të dytë nga koalicioni i djathtë i kryesuar nga PD, si garanci për realizimin e projekteve të mëdha të nisura e të atyre që do të realizohen gjatë katër viteve të ardhshme. Z. Starova u shpreh dje në Kuvendin rajonal të PBLD-së për qarkun e Shkodrës se marrëveshja që nënshkroi me Kryeministrin Berisha para pak ditësh ishte hapi i parë i një fushate zgjedhore të suksesshme dhe një fitoreje të ardhshme 4-vjeçare. Nga ky Kuvend, Starova përcolli mesazhin e nisjes së një fushate elektorale me alternativa konkrete, për të arritur objektivin final, fitoren e një mandati të dytë të së djathtës në këto zgjedhje.