E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: Parlamenti i ardhshëm të japë zgjidhje për jetimët

"Në ditën e ringjalljes së Krishtit, le të ringjallet dhe ndërgjegjja e Kryeministrit Berisha, për të qenë më solidar me qytetarët e këtij vendi". Ky ishte mesazhi që përcolli kreu i G99-ës, Erion Veliaj, gjatë një vizite në familjen e Anisa dhe Irisa Sheshit, dy vajza adoleshente të mbetura jetime nga humbja e të dy prindërve.

Anisa dhe Irisa, me gjithë përkrahjen maksimale nga strukturat e minibashkisë 2 dhe mbështetjen fisnike të punonjëseve socialë aty, kanë mundur të sigurojnë vetëm një pension prej 2700 lekë të vjetra, që është krejtësisht i pamjaftueshëm për të përballuar nevojat më jetike.

Parlamenti i ardhshëm, sipas Veliajt, duhet të marrë parasysh pikërisht rastet e Anisës dhe të gjitha Anisave të tjera në Shqipëri dhe të sigurojë fleksibilitetin e nevojshëm, që historitë njerëzore mos të përballen me burokracitë e pashpirta dhe të evitohen situata të dhimbshme, si kjo kur dy vajza të vetme braktisen me një pagesë qesharake.

"Sot ne ndoshta po ndihmojmë në zgjidhjen afatshkurtër të një problemi të një rasti të vetëm, por nesër në Parlament do të mendojmë për një zgjidhje të qëndrueshme për të gjithë këto raste", - tha Veliaj. Veliaj, i shoqëruar nga aktivistë të tjerë të G99-ës, sollën disa dhurata dhe ndihma për festën e Pashkëve, si dhe i dhuruan Anisës një kupon, që të ketë mundësi të aplikojë për kartën e identitetit.

Anisa vetë tregon se me një pension, i cili nuk mbulon as faturat e dritave dhe të ujit, nuk i shkonte në mendje të paguante dhe lekët për kartën e identitetit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›