Karta identiteti për të gjithë shqiptarët "britanikë"
Shqiptarët, që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, sikundër të gjithë shtetasit e huaj atje, kanë nisur të paraqesin kërkesat për pajisjen me karta identiteti. Njoftimin e bën publik Agjencia e Kufirit-MB (UKBA). Kartat e para të identitetit do t‘u lëshohen të huajve, që paraqesin kërkesë për të vazhduar qëndrimin në MB, si studentë, apo për motive martese. Kartat e identitetit janë të detyrueshme për të gjithë shtetasit e huaj. Ato mendohet se do të ofrojnë një mjet të sigurt për të provuar të drejtën e një shtetasi të huaj për t‘u punësuar në biznese të ndryshme. Të gjithë ata shqiptarë që kanë shkuar së fundmi në këtë vend, por edhe ata që duan të shtyjnë qëndrimin aty, do të pajisen me karta identiteti brenda tre viteve. Nga fundi i 2014-‘15 parashikohet që rreth 90% e të huajve të pajisen me karta identiteti. UKBA shprehet e bindur se dokumentet e rinj do të ndihmojnë për të siguruar kufijtë e Mbretërisë së Bashkuar, duke përmirësuar kontrollin emigrator dhe duke reduktuar abuzimet me identitetin. Imazhet e fytyrave dhe gjurmët e gishtërinjve do të merren për t‘u siguruar për identitetin e secilit dhe për t‘u ofruar bizneseve ndihmë që t‘i largohen punësimit të paligjshëm. Tashmë, janë hapur qendra regjistrimi për pajisje me karta identiteti të shtetasve të huaj në Kardif, Gllasgou, Irlandën e Veriut, Shefild, Solihall dhe Liverpul. Kompanitë duhet të mbajnë regjistra të emigrantëve, të cilët i kanë sponsorizuar, përfshirë një kopje të kartës së tyre të identitetit dhe hollësira mbi personat e kontaktit. Xhulien Gravat, drejtor i Financimit dhe Zhvillimit për Shoqatën e Kolegjeve, u shpreh: "Lëshimi i kartave të identitetit për studentët e huaj duhet të japë ndihmesë për reduktimin e mashtrimeve me identitetet. Kolegjet mirëpresin çdo masë që lehtëson rekrutimin e studentëve të mirëfilltë për të studiuar në MB, si dhe përfitimet ekonomike që sjell diçka e tillë". Sekretarja e Ministrisë së Brendshme (Home Office), Xheki Smith, tha: "Me kohë kartat e identitetit për shtetasit e huaj do të zëvendësojnë dokumentet letër. Sistemi me pikëzim i stilit australian do të sigurojë që vetëm ata për të cilët kemi nevojë dhe jo të tjerë, të mund të vijnë këtu. Sistemi po kështu na mundëson ‘të ulim dhe të ngremë stekën‘, duke marrë parasysh nevojat e biznesit dhe prirjen e popullsisë". Aktualisht kanë nisur të zbatohen rregulla më të rrepta për sjelljen e punëtorëve të huaj në MB, sipas sistemit të ri të bazuar në pikëzim, të tipit australian, me pesë kolona ose klasa. Më 27 nëntor hynë në fuqi kolonat 2 dhe 5. Duke nisur nga kjo datë, punëdhënësit e regjistruar në Agjencinë e Kufirit-MB (UKBA) kanë mundësi të sjellin punëtorë të huaj në MB, sipas kësaj skeme. Sipas autoriteteve, skema kombëtare e identitetit do të ndihmojë për t‘u mbrojtur kundër mashtrimeve me identitetin, punën dhe emigrimin e paligjshëm, krimin e terrorizmin dhe për t‘iu kundërvënë atyre që përpiqen të abuzojnë me qëndrime besimi, njëherësh duke ndihmuar dhe lehtësuar që njerëzit të provojnë se cilët janë në të vërtetë.