PD: Rama nuk respekton institucionet e pavarura
PD-ja, nëpërmjet zëdhënësit të saj, Gerti Bogdani, ka akuzuar kryetarin e PS-së, Edi Rama, se nuk po respekton institucionet e pavarura dhe shtetin ligjor. Gjatë deklaratës së tij, Bogdani tha se "dje dhe sot, kryehetuesi politik i vendit, Rama, sulmoi gjykatat, vendimet e tyre, kancelarët, shortin elektronik dhe gjykatësit, vetëm e vetëm se ata zbatojnë me korrektesë ligjin dhe shtetin ligjor të vendit". Sipas tij, "kryetari i PS-së dhe njëkohësisht edhe kryehetuesi politik i vendit, mund të manipulojë dhe të shndërrojë në një instrument të tij ndonjë element të kapur nga krimi në Prokurorinë e Përgjithshme, por nuk mund të mposhtë ligjin dhe shtetin ligjor të këtij vendi". Në emër të PD-së, zëdhënësi demokrat i ka kërkuar Ramës që të heqë dorë nga roli i shëmtuar i kryehetuesit, se ai dhe instrumentet e tij nuk do të mund të fshehin më asgjë në lidhjet e tyre me krimin.