Starova: Në zgjedhjet e ardhshme, koalicion me PD
Bashkimi Liberal Demokrat ka zhvilluar dje Kongresin IV. Gjatë fjalës së tij, Presidenti i Nderit i kësaj partie, Teodor Laço, tha se "Kuvendi mblidhet në një situatë kur vendi po përjeton një rritje ekonomike dhe qindra rrugë të reja dhe për vlerësimin tim personal në këtë qeveri, që udhëhiqet nga PD-ja dhe Kryeministri Berisha, Shqipëria po i thotë lamtumirë tranzicionit dhe po hyn në epokën e stabilitetit". Ndërsa kryetari i BLD-së, Arjan Starova, theksoi se "është bërë punë e madhe dhe rezultati kanë qenë zgjedhjet vendore të vitit 2007, me 127 anëtarë bashkie dhe komunore të fituara në të gjithë vendin, dyfishimi i anëtarëve të partisë dhe shtrirja në fshatra e komuna, ku nuk ka qenë e pranishme me parë". Sipas tij, BLD-ja ka burime njerëzore të pasura, të cilat kanë ditur me përkushtim të japin ndihmesën e tyre në qeverisjen qendrore dhe vendore, duke na bërë që sot të jemi më ambiciozë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në koalicion me Partinë Demokratike.