E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pentagoni kërkon të punësojë shqiptarë në ushtrinë e SHBA

Për qëllimet e luftës, Pentagoni ka vendosur që të punësojë edhe të huaj, të cilët qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me viza. Mes tyre do të ketë edhe shumë shqiptarë. Kështu, ata mund të jenë studentë ose punëtorë të pajisur me viza. Në një artikull të botuar ekskluzivisht në agjencinë e lajmeve "Associated Press", thuhet se "në përpjekje për të gjetur mjaftueshëm doktorë, infermierë dhe njohës gjuhësh për të mbështetur luftën, Pentagoni do të rekrutojë përkohësisht të huaj, të cilët kanë jetuar ose jetojnë në SHBA si studentë, apo punëtorë me viza, si refugjatë, apo me statusin e azilit politik". Ata citojnë sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates, i cili ka autorizuar ushtrinë, marinën, forcat ajrore dhe ////Trupat Marins të SHBA-së që të rekrutojnë një seri rezidentësh të legalizuar, të cilët kanë aftësi gjuhësore dhe njohuri mjekësore "vitale për interesat kombëtare", duke përdorur për herë të parë një ligj që është miratuar tre vjet më parë.

Ndonëse ushtria edhe më parë ka punësuar rekrutë me "karta jeshile" (green cards) që kërkonin rezidencë afatgjatë, plani "Gates" mundëson fillimin e një programi pilot njëvjeçar, për gjetjen e më shumë se një mijë të huajve, që kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara në mënyrë legale, për të paktën dy vitet e fundit, me tipa të ndryshëm vizash të përkohshme. Rekrutët e rinj në Forcat e Armatosura do të përfitojnë trajtim të përshpejtuar në procesin e marrjes së nënshtetësisë amerikane, në këmbim të shërbimit ushtarak në kohë lufte, në Shtetet e Bashkuara ose jashtë saj. "Shërbimet janë duke bërë një punë të jashtëzakonshme për rekrutimin e një personeli cilësor që përmbush misionet tona të ndryshme, disa herë me bonuse në rroga dhe pagesa të shkollave mjekësore", tha Bill Carr, zëvendëssekretar i mbrojtjes për politikat e personelit ushtarak. Por ata nuk kanë mundur që të përmbushin nevojat për 24 mijë doktorë, dentistë dhe infermierë në Departamentin e Mbrojtjes. Trupa e doktorëve dhe infermierëve të Pentagonit mbetet me njëmijë vende të paplotësuara në krahasim me numrin e domosdoshëm për të trajtuar pacientët dhe Carr tha se shpreson që programi do t‘i mbushë këto hapësira. Nevojat më të mëdha të ushtrisë janë për neurokirurgë dhe dermatologë, për të trajtuar trupat që kthehen në shtëpi nga Iraku dhe Afganistani, me plagë në kokë dhe djegie të shkaktuara nga përdorimi i gjerë i bombave në rrugë, apo i atyre vetëvrasëse. Gjithashtu Carr është shprehur se ushtria ka nevojë edhe për infermierë me një rreze të gjerë specializimesh. Por ka nevojë edhe për njerëz që njohin gjuhë dhe kultura të ndryshme, të nevojshme për luftën kundër terrorizmit që kanë ndërmarrë Forcat e Armatosura anekënd globit. Edhe pse ushtria ka kërkuar më shumë njohës të gjuhëve arabe dhe të tjerë që të ndihmojnë në luftën në Irak dhe Afganistan, programi i ri parashikon rekrutimin e përkthyesve të disa dhjetëra gjuhëve, përfshirë, gjuhën shqipe, koreane, atë të Punxhabit, somalishten dhe turqishten. "Përpjekja për të gjetur këta rekrutë filloi që herët këtë vit. Nëse ka nevojë për më shumë rekrutë në të ardhmen, do të ketë një autorizim të ri. Nga njëmijë njerëz të rinj që do të punësohen, pothuajse një e treta e tyre duhet të jenë me profesionin e mjekut", tha Carr.

Folësit e gjuhëve të ndryshme do të përdoren gjerësisht në punët ushtarake, si policë ushtarakë, këmbësorë, marinarë. Ata me aftësitë më të mira të njohjes së gjuhëve do të përdoren në fushat e spiunazhit. Forcat ushtarake kanë përdorur të huajt që nga lufta e 1812-ës dhe deri tani më shumë se 700 mijë trupa kanë shërbyer. Por, për shkak të luftës kundër terrorizmit, që filloi pas 11 shtatorit 2001, sulmit kundër Amerikës, Presidenti Xhorxh Bush nënshkroi një urdhër ekzekutiv në 2002-in, që u krijonte të huajve që i bashkoheshin ushtrisë, lehtësira në aplikimin e menjëhershëm për nënshtetësinë. Ata kalojnë në krye të listës mes aplikimeve për nënshtetësinë, duke bërë të mundur që çështjet e tyre të shqyrtohen brenda 3 vjetëve, përkundrejt pesë viteve që u duhen të tjerëve. Tashmë ka 29 mijë jo nënshtetas me uniformë, tha Carr, me rreth 8 mijë persona më shumë nga viti në vit. Ai pret që mes atyre që do të tregojnë interes në këtë përpjekje, të jenë doktorë me viza pune, që punojnë në spitalet anekënd Amerikës. Ushtria nuk ka rekrutuar kurrë më parë persona që nuk janë të pajisur me "karta jeshile" (green card). Por, një ligj që u miratua tre vjet më parë ua mundëson atyre këtë gjë, në rastet kur kjo është vendimtare dhe vitale për interesat kombëtare. Më 25 nëntor, Gates deklaroi se kjo po bëhej për të arritur qëllimin e punësimit të më shumë doktorëve, infermierëve dhe përkthyesve. Carr theksoi se rekrutëve do t‘u duhet t‘u nënshtrohen të njëjtave teste fizike, mendore dhe të sjelljes që kërkohen për të gjithë ata që u bashkohen Forcave të Armatosura. Punonjësve të shëndetësisë, gjithashtu, do t‘u duhet që të përmbushin të gjitha kriteret profesionale mjekësore, si dhe të jenë të aftë në anglisht. Ata duhet të bien dakord që të marrin përsipër këtë detyrë, për një periudhë trevjeçare, ose të shërbejnë gjashtë vjet si rezervistë. Ekspertët e gjuhëve dhe kulturave do të duhet të regjistrohen për një shërbim aktiv katërvjeçar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›