E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, Berisha kërcënon buxhetorët

Administrata "Berisha" ka përveshur mëngët dhe bën bilancin e nëpunësve të cilët kanë marrë kuponin për t‘u pajisur me kartat e identitetit. Sipas një vendimi të Kryeministrit Berisha të firmosur në mesin e muajit janar, çdo institucion buxhetor dhe njësi e qeverisjes vendore do të raportojë përkatësisht, në ministritë dhe institucionin qendror nga i cili varet dhe në Ministrinë e Brendshme listëpagesën e përfituesve të kompensimit të paguar për muajin së bashku me fotokopjet e mandateve të përfituesve. Afati për ministritë dhe institucionet e tjera është data 31 janar. Ministritë dhe institucionet bazuar në këto raporte bëjnë një kërkesë përmbledhëse për rimbursimin e fondeve të shpenzuara, në Ministrinë e Financave, e cila bën çeljen e menjëhershme të fondeve për ministritë dhe institucionet qendrore. Në rast se nëpunësit nuk kanë marrë kuponin brenda muajit janar, atëherë rroga e tyre mujore do të bllokohet. Dita e djeshme ishte afati i fundit që kishin në dispozicion ministrat për të mbyllur bilancin e listëpagesave që janë bërë dhe ata nëpunës të cilët rezultojnë pa kuponin e letërnjoftimit rrezikojnë rrogën e muajit shkurt.

Kompensimi

Pagesa e kompensimit bëhet në mënyrë të menjëhershme, pasi personi përfitues paraqet në zyrat ku merr pagën apo pensionin

fotokopjen e dokumentit të dhënë nga zyrat e gjendjes civile pas aplikimit për pajisjen me letërnjoftim, të shoqëruar me mandatin e pagesës të bërë nga përfituesi. Kompensimet do jepen në zyrat ku bëhet pagesa për pagat dhe pensionet. Kuponi i letërnjoftimit do të blihet nga të gjithë aplikuesit në vlerën 1200 lekë, ndërsa më pas kompensimi do të bëhet nga zyrat ku aplikuesit marrin pagën ose pensionin. Ministria e Brendshme, Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta do të përcaktojnë mënyrën e pagesës së kompensimit. Pensionistët dhe buxhetorët do të marrin kompensimin në zyrat ku marrin të ardhurat mujore, por ngërçi i madh është për studentët, për të cilët qeveria ende nuk ka një ide fikse për mënyrën e kompensimit të tyre. Një kartë identiteti për studentët do të kushtojë 500 lekë, për pensionistët 800 lekë dhe për punonjësit buxhetorë me të ardhura nën 35 mijë lekë do të kushtojë 1000 lekë.

Problemet

Kartat e identitetit ende nuk kanë filluar të shpërndahen, megjithëse një pjesë e mirë e qytetarëve kanë tërhequr kuponin. Megjithëse afati i premtuar nga autoritetet ka kaluar, askush nuk kthen një përgjigje se kur qytetarët që kanë aplikuar do t‘i marrin ato për t‘i përdorur edhe si një mjet identifikimi në zgjedhjet e qershorit. Nga ana tjetër, autoritetet e kompanisë prodhuese të kartave nuk kanë pranuar të flasin për të dhënë shpjegime në lidhje me vonesat. Procesi i kartave të identitetit nisi më 12 janar vetëm në Tiranë, ndërkohë që në rrethe do të nisë javën e ardhshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›