E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbetet pezull komisioni për zgjedhjet

Komisioni ad hoc për monitorimin e zgjedhjeve ka mbetur pezull. Para pak ditësh, PS-ja, nëpërmjet kryetares së grupit parlamentar ka depozituar në Kuvend një kërkesë me anë të se cilës i kërkonte mazhorancës të pranonte ngritjen e një komisioni parlamentar për të monitoruar procesin e përgatitjeve të zgjedhjeve në Shqipëri. Parimisht kërkesa e PS-së u pranua nga PD-ja, por këta të fundit kërkuan që ai të drejtohej me dy bashkëkryetarë. Pretendim ky që u kundërshtua nga opozita.

Qëndrimi i PS-së

Para dy ditësh, sekretari për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafa, ka deklaruar se ende nuk ka një vendim konkret nga Kuvendi në lidhje me kërkesën e bërë nga grupi parlamentar i PS-së. Xhafa theksoi se PS-ja ka kërkuar që këtë komision ta drejtojë opozita, pasi është mazhoranca ajo që do të merret me zbatimin e këtij procesi, pasi ajo nuk mund të kontrollojë vetveten. Duke pasuar parasysh këtë fakt, tha deputeti i PS-së, ky akses i duhet dhënë opozitës, në funksion edhe të asaj transparence, që pretendohet për këtë proces. "Ne kemi argumentuar që duhet ta drejtojë opozita, kurse mazhoranca ka kërkuar që ta bashkëdrejtojë këtë komision, me propozimin e secilës ne nuk jemi dakord", është shprehur Xhafa. Më tej ai ka theksuar se nëse mazhoranca nuk do ta pranojë propozimin e PS-së atëherë, mund ta drejtojë vetë mazhoranca, pasi është në të drejtën e saj për të vendosur. Por, ka shtuar sekretari socialist, "nuk është korrekte, pasi ky shqetësim që ne kemi dhe vazhdojmë të kemi lidhur me procesin zgjedhor dhe në mënyrë të veçantë me disa elementë të rëndësishëm të infrastrukturës zgjedhore për të cilat kemi ngritur hije dyshimi është një shkak më shumë për të qenë akoma më shumë të shqetësuar".

Qëndrimi i PD-së

Parimisht demokratët janë shprehur pro ngritjes së komisionit parlamentar për monitorimin e zgjedhjeve. Kjo është bërë e ditur nga kryetari i grupit të PD-së, Astrit Patozi, por edhe nga zëdhënësi i këtij grupi, Aldo Bumçi, pak ditë më parë.

"PD-ja është pro ngritjes së komisionit ad hoc. Ne propozojmë që komisioni ad hoc të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga opozita dhe një nga pozita", është shprehur Patozi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›