Topalli takon vëzhguesit e Asamblesë së Këshillit të Europës
05/06/2009 Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, priti dje në takim përfaqësuesit e komisionin ad hoc të vëzhguesve paraelektoral të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, kryesuar nga Corien Jonker. Sipas njoftimit për shtyp të zyrës së shtypit pranë Kryetares, kjo e fundit i ka informuar vëzhguesit e Asamblesë mbi ecurinë e procesit zgjedhor, të cilën kryeparlamentarja e ka cilësuar shumë të mirë. “Ndihemi shumë mirë që për herë të parë kemi realizuar një infrastrukturë moderne zgjedhore dhe institucionet zgjedhore janë në funksionim të plotë, duke përmbushur çdo detyrim ligjor”, - ka deklaruar Topalli. Duke e vlerësuar shumë të rëndësishme pajisjen e qytetarëve me kartat identitetit, që kanë elemente më të forta të sigurisë krahasuar me të gjitha vendet e tjera, ajo quajti të suksesshëm ecurinë e procesit të aplikimit dhe të shpërndarjes së tyre. Në përfundim Kryetarja e Kuvendit komentoi edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, sipas së cilës, i kapur nga paniku, ka vendosur të bëjë çdo përpjekje për t’u shpëtuar zgjedhjeve. “Por 28 qershori do të jetë dita më e bukur e zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka bërë ndonjëherë”, - tha Topalli.