E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, Meta: Kërkohet angazhim i të gjithë politikës dhe OSBE-ODIHR

 

Kryetari i LSI-së i kërkoi forcave politike të angazhohen seriozisht, jo si deri më tani, për të gjetur zgjidhje transparente për çështjen e kartave të identitetit. Në një konferencë për shtyp në selinë e LSI-së, Meta tha se “një dështim i zgjedhjeve të 28 qershorit do të ishte një fatalitet për demokracinë shqiptare, do të ishte një turp i madh për të gjithë kombin tonë, do të ishte dhe një njollë që do t’i vinim aleancës më të madhe të lirisë, asaj të NATO-s, e cila na pranoi vetëm pak ditë më parë”. Kreu i LSI-së kërkoi më shumë përgjegjshmëri nga dy forcat politike në këtë proces, pasi dëmet që do t’i vijnë vendit nga ky dështim do të jenë të pariparueshme. “Ne mendojmë se zoti Rama duhet ta kishte parasysh, që kur bëri Kodin me Berishën që kartat duhet të jepeshin falas. Megjithatë, ne na vjen mirë që ai iu bashkua qëndrimit tonë që kartat duhet të jepeshin falas. Tani, e rëndësishme është që të bashkëpunohet, sidomos me faktorin ndërkombëtar dhe OSBE/ODIHR-in, dhe duhet të kemi parasysh që OSBE/ODIHR nuk duhet t’i shmanget krizës së tanishme zgjedhore që po afron në Shqipëri, sepse dhe ajo ka qenë pjesë e bërjes dhe e miratimit të atij Kodi, sepse ne nuk mendojmë që bashkëpunimet Berisha-Rama mund të sjellin standarde më të mira për zgjedhjet në Shqipëri. Sepse, po të ishte për të sjellë standarde më të mira në Shqipëri, do të kishin sjellë edhe për gjyqësorin, edhe për reformat në drejtësi, do të kishin sjellë për çështjen e zgjedhjeve”, tha Meta.  Kreu i LSI-së i kërkoi qeverisë një angazhim të përgjegjshëm, jo si deri tani. “Kërkojmë që qeveria të marrë vendim të qartë për shpërndarjen falas të kartave të identiteti dhe njëkohësisht kërkojmë edhe për të gjetur mënyra të tjera, qofshin këto edhe nëpërmjet një logjistike të lëvizshme, që të lehtësojë mundësinë e aplikimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit”, tha Meta. kreu socialist gjatë konferencës së djeshme për shtyp tregoi dhe rezultatet e vizitës së tij disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, SHBA kanë një shqetësim në rritje për standardet e zgjedhjeve në Shqipëri. “Ka një shqetësim në rritje edhe në Uashington lidhur me problemet e deritanishme që janë hasur, për sa i takon një klime optimiste zgjedhore për arritjen e standardeve të kërkuara, kur në mënyrë të veçantë do të veçoja shqetësimin për rrezikun e humbjes së të drejtës së votës të shumë qytetarëve shqiptarë, për arsyen e procesit të vonuar dhe të vështirë për t’u realizuar me sukses, të prodhimit dhe të shpërndarjes së kartave të identitetit”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›