Ngjela: “Dy skema manipulimi të zgjedhjeve parlamentare”
Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, avokati Spartak Ngjela, zbardh për gazetën “Albania” dy skemat e mundshme të manipulimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Ish-deputeti i Partisë Demokratike hedh dyshimin për mundësinë e manipulimit të zgjedhjeve elektorale si nëpërmjet përdorimit të kartave të identitetit, ashtu dhe nëpërmjet përdorimit të pasaportave aktuale për jashtë shtetit. Ngjela deklaron se qeveria nuk disponon aparatin që kontrollon nëse një kartë identiteti është origjinale apo e kopjuar. Sipas tij, nëse nuk disponohet një aparat i tillë kontrollimi, atëherë karta nuk mund të vërtetohet kurrë nëse është e vlefshme për arsyen e thjeshtë së ajo mund të prodhohet në çdo studio grafike. Po kështu, avokati shprehet se në depot e Ministrisë së Brendshme ekzistojnë mbi 800 000 pasaporta për jashtë shtetit, jobiometrike, të cilat mund të plotësohen në çdo moment me emra emigrantësh.
Deklarata
“Shenjat duket se mund të përdoren të dyja anët e së njëjtës medalje. Njëra anë është përdorimi i kartave të identitetit, që nuk janë brenda sistemit elektronik të kontrollit. Pra shteti nuk disponon aparatin që bën “check up”, kontrollin e çipit, të numrit dhe të shenjave të gishtërinjve të kartës së identitetit, nëse kjo kartë është e regjistruar dhe është lëshuar nga shtetit. Ashtu sikurse verifikohet në çdo moment lëshimi i një karte krediti”, sqaron avokat Ngjela. Ai sqaron se në mungesë të këtij aparati nuk mund të verifikohet nëse një kartë është apo origjinale, pasi karta identiteti mund të prodhohen kudo, në çdo studio grafike.
Një mënyrë manipulimi e zgjedhjeve, sipas avokatit, është përdorimi i pasaportave për jashtë shtetit. “Sipas të dhënave të mia, ka mbi 800 000 pasaporta të papërdorura në depozitën e shtetit, në Ministrinë e Brendshme. Pasaportat janë ato që kanë mbetur prej vitesh dhe janë akoma në përdorim. Ato mund të përdoren në zgjedhje duke u mbushur me emra emigrantësh që nuk ndodhen në Shqipëri”, - është shprehur Ngjela. Ish-deputeti i PD-së, aktualisht kryetar i Partisë Ligj dhe Drejtësi, shpreh dyshimin se të dyja këto skema qarkullojnë si ide dhe se mund të jenë një mundësi e manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Të dyja krahët e kësaj medaljeje, sikurse shpjegova, mund të përdoren për manipulim. Sipas të dhënave, ka mundësi të përdoren që të dyja, edhe pasaportat që janë të gatshme, dhe mund të mbushen me emra dhe kartat e identitetit, të cilat janë jashtë sistemit elektronik të kontrollit”, - thekson Ngjela.
Debati
Prej disa muajsh politika shqiptare është përfshirë në një debat mbi pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Ndërsa qeveria garanton mundësinë e pajisjes së qytetarëve me karta identitetit deri ditën e zgjedhjeve dhe mohon çdo mundësi të manipulimit të tyre, opozita shpreh të kundërtën. Përfaqësuesit e opozitës prej kohësh kanë shfaqur shqetësimin e pamundësisë kohore dhe kapaciteteve prodhuese të koncesionarit për të prodhuar aq karta identiteti sa duhen për të pajisur të gjithë shtetasit që nuk disponojnë pasaportë. Edhe misioni i vëzhgimit të ODIHR-it, në raportin e parë për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri, citoi se kartat e identitetit janë një ndër elementet e kontestimit të zgjedhjeve parlamentare.
2 Qershor 2009