E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: PS-ja dhe PD-ja të mos i shtyjnë zgjedhjet e 28 qershorit

Kreu i LSI-së: “Shtyrja e zgjedhjeve do të ishte diskreditim për Shqipërinë, por edhe për NATO-n”.

Shaban Sulçe

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka kërkuar nga dy partitë, hartuese të Kodit Zgjedhor, nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, që të mos e shtyjnë zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Sipas Metës, shtyrja e zgjedhjeve do të ishte jo vetëm një diskreditim i madh i Shqipërisë në sytë e faktorit ndërkombëtar, por do të shkaktonte një krizë komplekse për shkak edhe të krizës ekonomike, të shkaktuar nga vendimet e papërgjegjshme të kryeministrit Berisha. Kreu i LSI-së tha se asnjë palë nuk duhet të krijojë justifikime për prishjen e zgjedhjeve, ndërkohë që e paralajmëroi kryeministrin Berisha që t’i mbajë duart larg nga kutitë e votimit, pasi është duke u vëzhguar rreptësisht nga faktori ndërkombëtar.

Kartat
Meta tha se si PS-ja, ashtu edhe PD-ja kanë pasur katër vjet kohë për të bërë reformën zgjedhore dhe për të zgjidhur problemin e kartave. Ai tha se LSI-ja u ka kërkuar këtyre dy partive që në muajin janar që të gjejnë një zgjidhje konsensuale për çështjen e kartave. Meta tha se do të ishte një turp i madh për Shqipërinë në rast se PS-ja dhe PD-ja do të shtynin zgjedhjet e 28 qershorit, por se duhet gjetur një zgjidhje për të realizuar standarde sa më të pranueshme në këto zgjedhje. “Kanë pasur katër vjet për t’i zgjidhur këto probleme dhe ne prej katër vitesh kemi kërkuar të bëhet Kodi Zgjedhor me standarde europiane dhe të zgjidhet edhe problemi i kartave. Nuk duhet të na turpërojnë që të shtyjmë zgjedhjet, apo t’i dështojnë ato tani që jemi dhe vend anëtar i NATO-s, sepse do të diskreditonim edhe NATO-n, si një aleancë që pranon vende të papërgatitura për demokraci dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duhet gjetur çdo zgjidhje këto ditë që më 28 qershor qytetarët të shkojnë dhe të marrin pjesë në votime. Nuk duhet të synojë asnjëra palë të sajojë sebepe për të prishur zgjedhjet dhe as Sali Berisha nuk duhet ta zgjasë dorën drejt qendrave të votimit më 28 qershor, sepse është nën një vëzhgim shumë të fortë ndërkombëtar, dhe në rast se zgjat dorën, do t’i ngelen zgjedhjet në dorë, çka do të ishte shumë e rëndë për të, por edhe për vendin tonë”, - tha Meta.

Ftesa
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka komentuar edhe raportin më të fundit të USAID-it përsa i takon pasqyrimit të fushatës zgjedhore nga mediat. Meta tha se i ftonte të gjitha mediat që të ruajnë profesionalizmin e tyre, të ruajnë sa më shumë të munden pavarësinë e tyre dhe të jenë të hapura, në mënyrë që sa i takon aspektit mediatik dhe informativ, zgjedhjet e 28 qershorit të kenë një standard sa më të pranueshëm. Kreu i LSI-së tha se mbetet i hapur para mediave, ndërkohë që i bëri ftesë kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-së Edi Rama për t’u përballur në debat televiziv lidhur me programet qeverisëse. “Në këtë drejtim Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë dhe mbetet gjithnjë e hapur për të bashkëpunuar me të gjitha mediat, por njëkohësisht për të ballafaquar programin e saj dhe prioritetet e saj me të gjitha forcat politike dhe kuptohet në radhë të parë me Partinë Demokratike apo Partinë Socialiste. Ndërkohë, unë si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, jam i hapur përpara të gjithë mediave dhe në çdo kohë për të debatuar në mënyrë civile dhe me argumente si me kryetarin e Partisë Demokratike, kryeministrin në largim z.Berisha, ashtu dhe me kandidatin për kryeministër nga Partia Socialiste, z.Rama, lidhur me programin qeverisës për vendin për katër vitet e ardhshme”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

2 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›