E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, PS: Komision ad hoc

Tiranë-Deputeti i PS-së, Taulant Balla tha të dielën se mungesa e transparencës në procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit po shoqërohet me kundërshtimin e maxhorancës për ngritjen e komisionit parlamentar ad hoc për monitorimin e përgatitjes së procesit zgjedhor. "PS mendon se mosngritja në kohë e komisionit parlamentar, i heq të vetmen mundësi opozitës për të pasur informacion, si dhe për të përcaktuar përfundimisht se ku fillon dhe ku mbaron përgjegjësia e qeverisë ndaj zgjedhësve shqiptarë", deklaroi deputeti Balla.

"Nga informacioni i përditësuar që ne kemi, rezulton se deri ditën e djeshme procesi nuk ka filluar në 372 njësi vendore, nga 384 njësi gjithsej. Lista e përgatitur nga Ministria e Brendshme me 730 mijë shtetasish pa pasaportë ndërkombëtare, nuk është e plotë dhe numri i atyre që duhet të pajisen me letërnjoftim elektronik është më i madh", tha deputeti socialist.

Në emër të selisë rozë, Balla ka kërkuar që të hapen urgjent zyrat e aplikimit në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit, të krijojë kushtet për identifikimin dhe njoftimin real të shtetasve pa pasaporta, duke ju bërë të qartë edhe datën e pajisjes, si dhe të miratohet ngritja e Komisionit Parlamentar ad-hoc për Monitorimin e Procesit të Përgatitjes për Zgjedhje dhe drejtimin e tij nga opozita, si mundësi reale për të garantuar transparencën e kërkuar në procesin zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›