Shefer: Nuk duam ndëshkimin e Rusisë
Dje në Londër nisi takimi i ministrave të Mbrojtjes së NATO-s, ku po diskutohet për ndikimet e aksionit ushtarak rus në Gjeorgji, në marrëdhëniet e aleancës me Moskën. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap De Hop Shefer, tha se aleanca nuk duhet të synojë “ndëshkimin” e Rusisë, megjithatë kërkoi që të vazhdohet mbështetja për aspiratat e Gjeorgjisë që të anëtarësohet në NATO, edhe pse Rusia e kundërshton këtë. Pak para takimit, sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gates, tha se ekziston një ndarje ndërmjet aleatëve të NATO-s në pjesën lindore të Evropës dhe atyre në Evropën Perëndimore, lidhur me përgjigjen ndaj Rusisë. Gates tha se NATO duhet t’i shmanget provokimit në raportet me Rusinë dhe njëkohësisht duhet t’i vazhdojë stërvitjet, që t’i sigurojë aleatët në Evropën Lindore dhe në shtetet baltike.