Miqësorja me Milanin përplas Halilin me Slishkoviçin
Fatjon Kodra
Mund të duket e çuditshme, por miqësorja aq shumë e dëshiruar e Tiranës me Milanin ka sjellë përplasje mes drejtuesve të klubit bardheblu. Kryedonatori bardheblu Refik Halili ka bërë një deklaratë dje në konferencën për shtyp në lidhje me miqësoren e 14 tetorit, që del kundër trajnerit Blazhe Slishkoviç. Drejtuesi i klubit kryeqytetas u shpreh se skuadra e tij do të bëjë një prezantim dinjitoz, teksa pranoi vlerësimin e madh që do të ketë kjo miqësore nga bardheblutë. “Si klub do të bëjmë gjithçka për të bërë një prezantim sa më dinjitoz në këtë ngjarje kaq të madhe, që në Shqipëri them se do të jetë e rrallë. Tirana është me aktivitet, por atë ditë (14 tetor) do të bëjmë të pamundurën për të qenë sa më dinjitozë e seriozë për ta ngritur edhe më shumë këtë spektakël të madh”. Kryedonatori i Tiranës, i cili pranoi se Tirana e tij synonte fitimin e trofeut “Taçi-Oil Albania Readers”, më pas doli haptazi për rëndësinë e këtij takimi, duke pohuar se kishte më shumë vlera se takimi i kampionatit që do të luhet 4 ditë më pas ndaj Dinamos. “Milani është një ekip shumë i madh dhe për ne është fat, që të luajmë kundër tyre. Të them se atë do të shihni se do të jetë Tirana e vërtetë, mbase mund të bëj ndonjë budallallëk, por do të mundohemi të paraqitemi sa më denjësisht. Do ta vlerësojmë më shumë takimin se ndeshjen derbi me Dinamon (për kampionat, 4 ditë më pas)”, - u shpreh Halili gjatë konferencës për shtyp. Vetëm tre ditë më parë, kur kompania “Taçi Oil” bëri të ditur lajmin e ardhjes së Milanit, trajneri bardheblu Blazhe Slishkoviç i intervistuar nga një e përditshme sportive shqiptare deklaroi se një ndeshje me Milanin ishte një ëndërr për të. Mirëpo, si një profesionist i vërtetë, tekniku pranoi se luajtja e një ndeshje në një datë të tillë, kur katër ditë më pas Tirana do të luante ndaj Dinamos në derbi nuk ishte diçka e mirë për ecurinë në kampionat. “Milani është një ekip i madh dhe ardhja në Tiranë do të ishte një fitore e madhe jo vetëm për kryeqytetin, por të gjithë shqiptarët, - ka thënë boshnjako-kroati. - Unë kam kërkuar ndeshje miqësore dhe kjo është më shumë se kaq, një miqësore luksi. Ajo që nuk më pëlqen është data në të cilën mund të zhvillohet ndeshja, pasi 4 ditë më pas na pret derbi me Dinamon. Nëse do të luajmë kundër Milanit do të kërkoj nga lojtarët e mi të japin maksimumin dhe kjo nuk na shërben, pasi na duhet të lodhemi para derbit të 18 tetorit”, - ka deklaruar Slishkoviç. Pra, siç mund të kuptohet trajneri nuk ka qenë shumë dakord për një miqësore të tillë në këtë datë.