E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e grekut nga mbidoza, ndalohet 19-vjeçari shqiptar

 

SARANDE - Vdekja e të riut grek, Vasilios Gazelos, në kushtet e përdorimit të mbidozës së drogës, ka çuar në pranga një të ri nga fshati Markat. Sipas burimeve nga Komisariati i Policisë së Sarandës, paraditen e djeshme është bërë arrestimi i Arben Isufit, 19 vjeç, i akuzuar se ka penguar hetimet për zbardhjen e së vërtetës. Isufi është banor i fshatit Markat, rreth 8 km larg fshatit Janjar, ku edhe ka ndodhur ngjarja. Burimet zyrtare pohojnë se 19-vjeçari ka qenë në dijeni të gjithçkaje që ka ndodhur në fshatin Janjar 3 ditë më parë. Ai mësohet të ketë pasur dijeni se grupi i djemve, mes të cilëve edhe 28-vjeçari Gazelos, kishte konsumuar lëndë narkotike. Gjithashtu nga ana e policisë dyshohet se i riu ka pasur dijeni edhe për transportimin e kufomës, nga vendi ku ai edhe ka vdekur, pra në një banesë të këtij fshati, për në vendin ku u gjet kufoma, në afërsi të piramidës 54. Isufi rezulton të ketë lajmëruar policinë greke në lidhje me vdekjen e shtetasit helen, ndonëse vetë ai nuk ka pranuar asnjë nga këto fakte. Pas arrestimit të tij janë në kërkim dhe tre persona të tjerë, një grek dhe dy shqiptarë.                                                sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›