E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policët të paaftë kur mbledhin provat për të akuzuarit

21/03/2009  Prokuroria sulmon blutë në analizën njëvjeçare

“Inatet” e përjetshme mes policisë e Prokurorisë kulmuan dje në analizën njëvjeçare të Prokurorisë së Tiranës, ku policia u akuzua për mungesë profesionalizmi gjatë mbledhjes së provave. Në analizën për vitin e kaluar, Prokuroria e Tiranes ngriti shqetësimin e krimeve në rritje kundër personit dhe pronës në kryeqytet, veçanërisht për 6-mujorin e fundit, ku sipas kryeprokurorit Gent Xholi, vjedhjet me dhunë po spikasin në fushën e kriminalitetit. “Shifrat e krimit janë në rritje në një kohë kur shumë çështje mbyllen”, u shpreh kryeprokurori i Tiranës, Gent Xholi. Duke patur në krah jo vetëm Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, por edhe Sokol Stojanin, prokuror i dosjes së “Gërdecit” dhe prokurorët e “Durrës-Kukës”, Gent Xholi kritikoi policinë. Pasi iu referua 920 çështjeve të pushuara, një shifër kjo e lartë, Xholi ja vuri fajin policisë së Tiranës, e cila sipas tij nuk sjell provat e duhura, madje në disa raste persona të implikuar në trafik droge dhe vrasje janë liruar nga mungesa e provave. “Në rastet kur është vendosur pushimi i çështjeve penale për persona të kapur me lëndë narkotike, shkak ka qenë se në ekspertimin e lëndës ka rezultuar se nuk bëhej fjalë për drogë. Nga ana tjetër në momentin e caktimit të masës së arrestit nuk ka patur asnjë dyshim se lënda ka qenë narkotike”, u shpreh Xholi. Pasi ka përmendur njësinë Task-Forcë, prokurori i Tiranës, theksoi se për këtë njësi dosjet më të shumta janë në lidhje me korrupsionin, më pas kontrabanda dhe vepra të tjera penale në fushën e Tatimeve. Pas paraqitjes së statistikave analiza vjetore u zhvillua me dyer të mbyllura, ku të pranishëm ishin edhe drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Voci dhe Nikolin Bala, kreu i Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›