Zgjedhjet, socialistët garojnë me siglën PS, jo PSSH
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje listën e 34 partive të regjistruara për zgjedhjet e ardhshme të qershorit, por anëtarët kanë debatuar në lidhje me siglën e Partisë Socialiste. Kështu, përfaqësuesi i PS-së, Genci Gjonçaj, kërkoi që në fletën e votimit të shënohet sigla PS dhe jo PSSH. “Arsyeja pse unë paraqes këtë kërkesë zyrtare, ka të bëjë me, së pari, në katër zgjedhjet e fundit Partia Socialiste është regjistruar me siglën PS. E dyta, është përdorimi i “Sh” në fund, do të ngatërronte votuesin për shkak të subjekteve të shumta elektorale në fletët e votimit. Marrja në konsideratë e kësaj kërkese e bën më të thjeshtë votimin për qytetarët”, - tha Gjonçaj. Propozimi i tij u kundërshtua nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kosovrasti, i cili tha se sigla e PS-së duhet të miratohet ashtu siç është në vendimin e gjykatës, pra PSSH. Këtu ndërhyri nënkryetarja e KQZ-së, Subashi, e cila tha se edhe PD-ja është regjistruar si PDSH në gjykatë. Por në përfundim, me votat e tre anëtarëve të majtë dhe të kryetarit Arben Ristani u miratua sigla “PS”, ashtu siç u kërkua nga vetë socialistët.