E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i BE-së: Berisha ndryshoi Shqipërinë



Në një kopsht të bukur, para godinës së qeverisë çeke, përmes një akti solemn, Kryeministri Sali Berisha i dorëzoi dje presidentit të radhës së BE-së, Kryeministrit të Çekisë, Mirek Topolanek, kërkesën zyrtare të Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Në prani të Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin në BE, z. Michael Leigh, delegacioneve të të dyja vendeve dhe përfaqësuesve të medias, Kryeministri nuk fshehu emocionin e atij çasti, duke pohuar se bashkë me të në Pragë ishin të gjithë bashkëqytetarët shqiptarë në këtë ditë historike për ta. Në këtë mënyrë, që nga dita e djeshme, Shqipëria hodhi një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i dorëzoi rreth orës 12:25 Presidentit të Këshillit të Bashkimit Evropian, Mirek Topolanek, letrën me të cilën Shqipëria aplikon për statusin e vendit kandidat në BE. Ceremonia u zhvillua në Pragë (Çeki), vend i cili mban kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian. Përmes letrës drejtuar Presidentit të Këshillit të BE-së, Kryeministrit të Çekisë, Mirek Topolanek, në emër të Republikës së Shqipërisë në vijim të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë për integrimin e Shqipërisë në BE, të datës 29 janar 2009, mbështetur në aspiratën dhe vullnetin mbizotërues të popullit shqiptar për t'u bërë pjesë e BE-së, në përputhje me nenin 49 të Traktatit të BE-së, i paraqiti aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në BE. Gjatë ceremonisë, Kryeministri çek, Mirek Topolanek, nuk hezitoi t’i shprehte delegacionit shqiptar faktin se Shqipërinë e ndryshoi Kryeministri i suksesshëm Sali Berisha. Sipas Topolanek-ut, nën drejtimin e Berishës, Shqipëria ka bërë ndryshime të jashtëzakonshme dhe të mahnitshme. “Shqipëria ka kaluar përmes ndryshimeve të jashtëzakonshme, të mahnitshme dhe unë jam shumë i lumtur që shumica e këtyre ndryshimeve janë bërë nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha”, - deklaroi Kryeministri çek. Z. Topolanek shprehu besimin se Shqipëria po hyn në rrugën e saj afatmesme dhe në këtë rrugë ëndrra e shqiptarëve do të bëhet realitet. Ai garantoi se Republika Çeke do të ndihmojë Shqipërinë edhe pas përfundimit të presidencës. Kurse Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, pohoi se dorëzimi i kërkesës shënon një akt domethënës historik, duke e quajtur një rikthim në BE, që sipas Berishës, shqiptarët u ndanë fizikisht, por jo shpirtërisht. "Ju lutem, po ju paraqes kërkesën e vendit tim për anëtarësimin e plotë në BE, por sot (dje) është një ditë e mrekullisë së lirisë që Çekia përfaqëson BE-në, kjo përbën një inkurajim të madh për ne. Shqipëria vjen këtu pas shumë momentesh të vështira, ashtu si Çekia pak vite më parë”. Berisha vuri në dukje se kur shpirtrat e mëdhenj intelektualë të Çekisë ndërtuan hartën e të drejtave njerëzore, në vendin tonë ndërtoheshin bunkerë. “Sot vij këtu në një kohë, kur falë punës dhe solidaritetit të miqve tanë, shqiptarët kanë bërë një hap të madh aty ku synonin 17 vjet më parë", - deklaroi Berisha. Kryeministri përmendi dhe një sërë reformash të realizuara nga qeveria e tij. Kryeministri solli në vëmendjen e Presidentit të radhës së BE-së, se Shqipëria ka treguar se përfaqëson demokraci funksionale në zbatim të kritereve të Kopenhagenit. Sipas tij, “ekonomia jonë e tregut gëzon stabilitet makroekonomik me një rritje në vitin e kaluar prej 8%. Tani Shqipëria është vend joshës për turistët. Në 4 prill Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në NATO”, - vijoi Berisha. “Dhe sot të gjithë bashkëqytetarët e mi shqiptarë janë me mua në Pragë, ndërsa ne festojmë me gëzim dhe emocion të madh këtë moment solemn, të dorëzimit zyrtar të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në BE”. Berisha përmendi faktin se “për shqiptarët historia ka qenë e vështirë dhe e ashpër, por pushtimet e gjata dhe brutalitetet nuk mund të shuanin kulturën e vendit tim, ashtu sikurse dhe interesimin e shqiptarëve për t'u bërë evropianë”. Sipas tij: "96 për qind e shqiptarëve duan integrimin e plotë të Shqipërisë në Evropë, ndaj dhe sot për ne është dita e mrekullisë dhe lirisë që përfaqëson BE-ja". Shqipëria dhe Çekia, sipas kreut të qeverisë shqiptare, "kanë pasur një të kaluar fondamentale dhe rënia e perdes së hekurt në Shqipëri zbuloi një vend, i cili ishte shumë larg nga vendet e botës së lirë".

BE, Leigh: Shqipëria, e aftë për etapat e tjera të integrimit

Drejtori për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Michael Leigh, përshëndeti dje dorëzimin e kërkesës së Shqipërisë pranë presidencës së radhës së Bashkimit Evropian, Kryeministrit çek. Liegh theksoi se Shqipëria sot ka realizuar një gur kilometrik që shënon përkushtimin e shqiptarëve ndaj vlerave evropiane. "Tani i takon Bashkimit Evropian të vazhdojë më tej. Komisioni Evropian do të japë opinionin e tij dhe do të vijojnë procedurat e mëtejshme. Tani i takon Shqipërisë të shfaqë aftësitë e saj në etapën tjetër drejt Bashkimit Evropian", - u shpreh Liegh. Por veç kësaj, Liegh vuri në dukje se kusht kyç është pikërisht forcimi i sundimit të ligjit dhe zgjedhjet e lira. Sipas tij, perspektiva evropiane është thelbësore për begatinë e rajonit si për gjithë Bashkimin Evropian.

Aplikimi, nga Topolanek, në duart e Solanës

Pas dorëzimit të aplikimit të Shqipërisë në duart e kryeministrit çek, Topolanek, ky aplikim do të kalojë në duart e z. Javier Solana dhe kështu do të fillojë procesi avis, procesi i shqyrtimit. Sipas Topolanek, kjo procedurë mund të miratohet gjatë presidencës së ardhshme suedeze të BE-së. Procedurat e aplikimit nga Bashkimi Evropian konsistojnë në disa faza. Fillimisht, aplikimi i një vendi duhet të ketë miratimin nga Komisioni Evropian dhe një aprovim unanim nga Këshilli i BE-së. Më pas, vazhdojnë negociatat e pranimit, në të cilën vendi kandidat duhet të pranojë të drejtat dhe angazhimet që përcaktojnë anëtarët e Bashkimit Evropian. Dhe pasi të gjithë kapitujt e negociatave të jenë mbyllur, kërkesa e një vendi kandidat duhet të marrë miratimin nga Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian, Këshilli i Bashkimit Evropian, të gjitha shtetet anëtare, madje dhe vetë vendi kandidat. Kryeministri çek, Topolanek, bëri dje të ditur se pas ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, më 18 maj do të bëhet takimi i parë i Këshillit të Stabilizim-Asociimit dhe sot, Shqipëria po dorëzon aplikimin e saj për anëtarësim në BE. Pas dorëzimit të aplikimit do të fillojë procesi standard. “Kështu, që pas dorëzimit të aplikimit në duart e mia, ky aplikim do të kalojë në duart e zotit Javier Solana dhe kështu do të fillojë procesi avis, procesi i shqyrtimit dhe kjo procedurë mund të miratohet gjatë presidencës së ardhshme suedeze të BE-së. Por përpara Shqipërisë ka ende një punë të madhe për t’u bërë. Sot, mendoj se Shqipëria po hyn në rrugën e saj afatmesme dhe unë besoj se ky proces do të kurorëzohet me sukses të plotë dhe kështu, ëndrra e shumë brezave që jetuan në regjimin totalitar do të bëhet realitet. Republika Çeke do të qëndrojë përkrah dhe Shqipërisë dhe ta ndihmojë atë edhe pas përfundimit të presidencës çeke të BE-së”, - tha Kryeministri çek.

Aplikimi, Gjermania: Hap i matur

Aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE është veprim i matur. Cornelius Adebahr është specialist për Ballkanin dhe Evropën në Shoqatën Gjermane për Politikë të Jashtme (DGAP) në Berlin. Në pyetjen nëse ky ishte një hap i përshpejtuar i Shqipërisë, Adebahr përgjigjet: “Mua më duket hap i matur”. Sipas Adebahr, qeveria shqiptare me këtë hap po kalon në ofensivë, sepse ajo nuk po pret më derisa Komisioni të japë dritën e gjelbër. Me këtë hap ajo e mori vetë në dorë situatën. Por procesi do të zgjasë edhe disa kohë derisa të merret vendimi. “Qeveria shqiptare u përpoq të merrte mbështetjen e shumë shteteve anëtare, një pjesë e tyre e kanë thënë hapur se e mirëpresin pozitivisht kandidaturën e saj. Së fundi, janë vendet anëtare ato që do të duhet ta pranojnë kandidaturën e që më vonë do t'ia dorëzojnë Komisionit. E më vonë do të jenë sërish vendet anëtare ato që do të vendosin se a do t'i jepet statusi i kandidatit apo jo. Pra, kontakti me vendet anëtare është shumë i rëndësishëm”, - tha ai gjatë një interviste për DW.

Berisha fton Presidentin çek në Tiranë

Kryeministri Sali Berisha ftoi dje Presidentin çek, Vaclav Klaus, që të vijë në Tiranë. Klaus priti në një takim të veçantë, në Kështjellën e Pragës, Kryeministrin Berisha, të cilit i pohoi se ndihej i lumtur të priste në selinë e tij një mik të Çekisë, veçanërisht një mik personal të tij prej shumë vitesh, si dhe liderin që e shndërroi Shqipërinë në një vend që ka korrur kaq shumë suksese. Ai vlerësoi dorëzimin nga ana e Kryeministrit Berisha të kërkesës së Shqipërisë për aplikimin si vend kandidat për në BE. Presidenti çek u shpreh se Çekisë iu deshën rreth 5 vjet për të arritur në anëtarësimin e plotë të vendit në BE, por sot kushtet janë të tjera. Në këtë kontekst, ai shprehu bindjen se me përpjekjet e mëdha të qeverisë shqiptare, Shqipëria do të arrijë ta realizojë këtë proces në një kohë shumë të shkurtër. Në këtë takim të përzemërt, Kryeministri Berisha falënderoi Presidentin Vaclav Klaus për mikpritjen dhe i shprehu mirënjohjen për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve në proceset integruese të saj. Kryeministri tha se ndihej i lumtur që dorëzimi i aplikimit të Shqipërisë për në BE bëhet në kryeqytetin e Çekisë, në Pragë, ndërsa theksoi se qeveria shqiptare e konsideron procesin e integrimit si një proces të pandalshëm dhe të bazuar në meritë të plotë. Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin çek Klaus për të vizituar Shqipërinë, ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi dhe tha se do ta vizitonte vendin tonë në gjysmën e dytë të këtij viti.

Çekia, përvojë integruese Shqipërisë

Çekia i ofron Shqipërisë ndihmën dhe përvojën e saj për ecurinë e shpejtë të procesit të anëtarësimit të plotë të vendit në BE, në mënyrë që Shqipëria të marrë hapa më të zhdërvjellët dhe të mos ketë vështirësitë administrative që i ka pasur Çekia. Këtë garanci i shprehu dje gjatë qëndrimit në Pragë, kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Çekisë, z. Miloslav Vlèek, Kryeministrit Sali Berisha. Vlèek e uroi Kryeministrin Berisha për aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat për në BE, duke e konsideruar këtë një hap shumë të rëndësishëm. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i shprehu z. Miloslav Vlèek mirënjohjen e qeverisë shqiptare për ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit në NATO dhe të MSA-së nga pala çeke. Kryeministri Berisha dhe kryetari i Dhomës së Deputetëve, Vlèek, theksuan se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera në të gjitha fushat, duke u ndalur veçanërisht në marrëdhëniet ekonomike.

Berisha, KE-së: Nuk ndalemi pa bërë lustracionin

Kryeministri Sali Berisha njeh Komisionin e Venecias me ligjin për lustracionin, duke pohuar se procesi i pastrimit të administratës nuk do të ndalet pavarësisht pezullimit nga Gjykata Kushtetuese. Berisha takoi dje një delegacion të Komisionit të Venecias, të kryesuar nga znj. Hanna Suchocka, ambasadore e Polonisë në Selinë e Shenjtë dhe njëkohësisht zv.presidente e Komisionit të Venecias. Delegacioni kërkoi të dinte këndvështrimin e Kryeministrit Berisha për sa i përket ligjit të pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë shtetërorë, i cili i është dërguar këtij komisioni për opinion nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Kryeministri Berisha, pasi bëri një ekspoze të krimeve të komunizmit si dhe krimeve kundër njerëzimit të kryer nga regjimi totalitar, u shpjegoi të pranishmëve historikun e lustracionit në Shqipëri, si dhe përputhshmërinë e ligjit shqiptar me atë çek. Kryeministri theksoi se kryefjala e të gjithë këtij procesi është ishte shkëputja njëherë e mirë nga krimet kundër njerëzimit, si dhe garantimi i integritetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Po ashtu ai theksoi se parimi i shmangies nga konflikti i interesit është një nga elementët më themelorë të pavarësisë së gjyqësorit dhe integritetit të saj. Kryeministri theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të këtij ligji vinte në kundërshtim të hapur me parimin e shmangies së konfliktit të interesit dhe rrjedhimisht me vetë ligjin për organizimin dhe funksionimin e gjykatës kushtetuese. Z. Berisha konkludoi se ky ligj ishte gjetur më parë si në përputhje me Kushtetutën dhe se procesi i lustracionit dhe i pastrimit të administratës publike nga elementë të cilët kanë kryer krime kundër njerëzimit, është një proces i pakthyeshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›