E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, debate në Kuvend mes Leskajt dhe Patozit

Kuvendi iu rikthye dje debatit politik për pajisjen e shtetasve shqiptarë me karta identiteti. Mazhoranca dhe opozita, nëpërmjet kryetarëve të grupeve parlamentare, Astrit Patozi dhe Valentina Leskaj, replikuan ashpër me njëri-tjetrin. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, theksoi se tashmë vëmendja e qeverisë duhet të kthehet seriozisht nga zgjedhjet, pasi procesi është në rrezik. Dhe shteg për këtë rrezik, theksoi ajo, është mospajisja e qytetarëve me karta identiteti. Proces, i cili tha Leskaj, po shkon drejt dështimit. Gjatë diskutimit të saj në gjashtëdhjetë minutësh, drejtuesja e deputetëve socialistë theksoi se "zgjedhjet janë në rrezik pa karta identiteti. Mbetet e hapur çështja nëse kjo qeveri ka vullnet për zgjedhje të lira e të ndershme apo jo. Qytetarët kanë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje". Bota, sqaroi Leskaj, ka kohë që e ka hequr taksën që Shqipëria ka bërë për kartat e identitetit. "Është e vërtetë që është bërë një ulje, por prapë familjet e varfra duhet të bëjnë një parapagim", konstatoi ajo. Pretendimi i Leskajt u kundërshtua nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Ai bëri përgjegjës kryetarin e PS, Edi Rama, i cili, u shpreh Patozi, po e kthen një problem personal në një problem kombëtar. "Unë kam dëgjuar ankimin e kreut të PS. Është fatkeqësi kur një kryetar partie hallin e tij kërkon ta kthejë në një problem për gjithë Shqipërinë. Vetëm një kryetar i papërgjegjshëm mund ta çojë partinë me vajtim në zgjedhje, vetëm një kryetar i papërgjegjshëm e shndërron një problem personal në problem për të gjithë vendin", theksoi Patozi. Sipas tij, pajisja e shtetasve me karta identiteti po shkon normalisht dhe procesi do të shkojë sipas të gjitha afateve të përcaktuara nga qeveria. Ky pretendim u kundërshtua nga deputetët e opozitës, Fatmir Xhafaj dhe Kastriot Islami, të cilët përmendën disa nga problemet që ky proces po has, duke dhënë alarmin se zgjedhjet po shkojnë drejt dështimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›