E Diel, 1 Nëntor 2026

Shijak, plagoset me pistoletë 32-vjeçari

Një 32-vjeçar nga Shijaku ka mbetur i plagosur një ditë më parë në një nga lokalet e qytetit. Një debat banal mes dy të rinjsh ka degjeneruar në krim kundër personit, ndërsa policia është vënë në kërkim të autorit të ngjarjes pas identifikimit të tij. Mësohet se i plagosuri është Olsi Ferizi nga Shijaku, ndërkohë që ngjarja ka ndodhur në lokalin e shtetasit Armando B. Nga veprimet e para hetimore rezulton se i plagosuri ka debatuar me autorin për motive të dobëta dhe më pas ai është qëlluar prej tij me një armë pistoletë tip TT, e cila i ka shkaktuar plagë në trup. Burime nga spitali rajonal i Durrësit bënë të ditur se i dëmtuari ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën. Drejtoria e policisë së qarkut bëri të ditur se ndaj autorit rëndojnë veprat penale të "vrasjes me dashje e mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtje pa leje" të parashikuara në Kodin Penal. Ndërkaq, lidhur me ngjarjen është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Klodian Hushi, 30 vjeç nga Shijaku, i cili mësohet se ka qenë dënuar më parë për vjedhje. Hushi akuzohet se ka prishur vendin e ngjarjes pak çaste pas të shtënave mbi Ferizin. Ndërsa autori është larguar nga vendngjarja, Hushi ka shkuar në lokalin ku ka ndodhur krimi dhe ka marrë prej andej gëzhojat e pistoletës me të cilën autori kishte kryer krimin. Qëllimi ka qenë zhdukja e provave nëpërmjet fshehjes së gëzhojave. Mbi 30-vjeçarin rëndon akuza e kryerjes së "veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›