E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Zgjedhjet, provim për Shqipërinë"

Pas anëtarësimit në NATO, opozita iu rikthye dje kërkesave për zgjedhje të lira dhe demokratike si prova e parë për Shqipërinë. Pajisja e të gjithë shtetasve me kartë identiteti vlerësohet si një garanci më shumë për realizimin me sukses të tyre. Ndaj, kryetari i PS-së, Edi Rama, këmbënguli sërish dje për karta identiteti falas. Rama u shpreh kritik ndaj kokëfortësisë së qeverisë për të mos pranuar propozimin e PS-së për të dhënë karta falas, sidomos për shtetasit pa pasaportë si shtresa më e varfër e shoqërisë. "Kur mbeten edhe vetëm 83 ditë nga të parat zgjedhje të Shqipërisë në NATO, ne i kujtojmë qeverisë se deri më 28 qershor, karta e identitetit lidhet ngushtësisht me të drejtën e votës dhe kjo e drejtë nuk mund të shitet nga qeveria dhe as nuk mund të blihet nga qytetari. Nuk ka më kohë për të humbur", tha ai. Sipas kryetarit socialist, me hyrjen në NATO, u mbyll një proces historik për Shqipërinë, por edhe u rrit barra e përgjegjësive e detyrimeve tona për të garantuar standardet e lirisë dhe të demokracisë. "Zgjedhjet që vijnë janë provimi i parë i Shqipërisë në NATO", nënvizoi Rama, duke bërë thirrje se tanimë nuk ka kohë për të humbur, aq më tepër kur pak muaj para këtyre zgjedhjeve, hija e dështimit të këtij provimi të parë, është përditë e më kërcënuese. "Kur mbeten edhe vetëm 83 ditë nga të parat zgjedhje të Shqipërisë në NATO, qeveria vazhdon të mbajë në fuqi, një taksë të mirëfilltë vote, që të varfrit nuk e përballojnë dot. Nuk ka më kohë për t‘u humbur", shtoi kryesocialisti. Ai ftoi qeverinë që të reflektojë për këtë situatë, ndërsa garantoi se opozita do të bëjë gjithçka i takon që Shqipëria të kalojë me sukses këtë provim të madh. Me hyrjen e Shqipërisë në NATO, opozita ka përforcuar kërkesën për qeverinë që të garantojë zgjedhje të lira, për të justifikuar në këtë mënyrë anëtarësimin në strukturën euroatlantike. Pajisja e shtetasve pa pasaportë me karta identiteti është pikë kyçe që sipas opozitës do të mundësojë zgjedhje demokratike. Këshilli i Ministrave ka refuzuar që të japë karta identiteti falas sipas propozimit të opozitës. Pas insistimeve të vazhdueshme, qeveria u detyrua që të ulë çmimin për disa kategori si pensionistët, studentët etj. Ministria e Brendshme publikoi shifrën 730 mijë shtetas pa pasaportë, ndërsa opozita është shprehur se ajo fsheh numrin e vërtetë të kësaj kategorie, duke pretenduar se numri real është më shumë se 900 mijë persona. Një tjetër çështje që garanton ecurinë e procesit është hapja e zyrave të aplikimit në të gjithë vendin. PS bëri të ditur se ky proces nuk është shtrirë në të gjithë vendin, ndërsa ka kërkuar masa lehtësuese për të gjithë ata që kanë dëshirë të aplikojnë. Paraprakisht, të dyja kampet politike kanë shprehur vullnetin e tyre të plotë për të realizuar zgjedhje të lira. Në të njëjtën linjë me opozitën është shprehur dhe faktori ndërkombëtar, duke nënvizuar se detyra kryesore për Shqipërinë aktualisht janë zgjedhjet e lira dhe të pakontestueshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›