E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti të garantojë sipërmarrësit

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi në një takiminë Krutje të Lushnjës se për të nxjerrë bujqësinë nga kriza duhet që shteti shqiptar t‘u japë garanci sipërmarrësve të caktuar. Meta sugjeroi që shteti duhet të bëjë marrëveshje me bankat, sepse ato janë private dhe nuk japin me dëshirë kredi për bujqësinë, përderisa është sektor me risk. "Por shteti duhet të vendosë një fond garancie shtetërore për bankat që ato të çlirohen nga pasiguria dhe të japin kredi për të ndërtuar njësi të tilla agro-përpunuese dhe t‘u japë garanci këtyre sipërmarrësve në mënyrë që t‘i lehtësojë nga detyrimet që kanë", u shpreh Meta.

Në takim, Meta u shpreh se LSI ka disa programe të tjera për punësimin e shqiptarëve. "Në investimet publike pranë komunitetit, vijoi Meta, punësimi do të jetë kryefjala e politikës fiskale dhe ekonomike të LSI". Ndërsa për çdo biznes të ri që do krijohet, LSI-ja propozoi që të mos paguhet tatim fitimi për disa vjet në rast se punëson pesë punëtorë. Njëkohësisht, kreu i LSI-së mori pjesë dje në një aksion për pastrimin e një kanali të ujërave të zeza në periferi të zonës së Kombinatit, e organizuar nga të rinjtë e LSI-së. Meta bëri thirrje për pushtetin vendor dhe qeverinë, që të gjenden zgjidhje për t‘iu ardhur në ndihmë banorëve të këtyre zonave, që jetojnë në kushte kaq të vështira, duke ndjerë gjithë ditën erën e rëndë të ujërave të zeza. Ndërsa kryetarja e minibashkisë së Kombinatit, Luzhiana Abazi, u shpreh se "ky kanal ka krijuar dhe përmbytjet e disa javëve më parë. Kjo është një nismë e ndërmarrë nga LRI në bashkëpunim me njësinë bashkiake, për të bërë pastrimin e këtij kanali, i cili, shumë shpejt, për vitin e ardhshëm, është futur në projektbuxhet, për t‘u bërë ashtu siç po bëhet dhe kanali i ‘Misto Mames‘".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›