E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në fushatë: Duhet ti themi ndal politikës përça e sundo

Socialisti Rama, derë më derë në bllokun Mine Peza
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka vazhduar së bashku me vullnetarët e Bashkimit për Ndryshim, të sensibilizojë qytetarët e Tiranës në bllokun Mine Peza për pjesëmarrje masive ditën e diel në mitingun qytetar, që do të zhvillohet në përkujtim të 1- vjetorit të tragjedisë së Gërdecit. Lideri i PS, Rama bëri apel se kjo plagë e hapur në trupin e shoqërisë shqiptare një vit më pare, ka nevojë të përkujtohet, në mënyrë që të mos harrohet e të mos përsëritet më kurrë. Gjatë qëndrimit të tij në këtë bllok, Rama është njohur edhe me problemet e shumta të qytetarëve. Tregtarët janë ankuar për shitje të pakta, ndërsa qytetarët për propagandën e qeverisë dhe realitetin me të cilin përballen. Një ndër banorët e lagjes tek blloku Mine Peza u shpreh se u bë dy muaj, që pas Vitit të Ri që ka rënë puna, skemi fare. Po rrimë. Ça ti bëjmë?. Ndërsa, kreu Rama tha se ky është vendi ynë dhe ne mund ta ndryshojmë po të bashkohemi të gjithë bashkë. Duke iu drejtuar banorit, Rama theksoi se duhet ti lëmë politikanët në sherret dhe dasitë për interesat e tyre dhe të bëjmë një bashkim të madh qytetarësh. Në 15 mars, ora 18:00, në sheshin "Skënderbej". Ti japim fuqi ndryshimit, duke u bashkuar përtej sherreve, përtej së kaluarës, që vazhdon të na mbaj peng me duart e politikanëve. E ndërsa një tjetër banor u shpreh se shohim vetëm Saliun, që thotë vetëm suksese e suksese, vendi më i mirë në botë është Shqipëria, por ne e përjetojmë ndryshe. Taksa të detyrueshme ka vënë aty te dritat. Nuk e duam TVSH- në. Vetëm ai më del nëpër televizione. Pse për atë do paguaj para e taksa unë, që të shoh Saliun? Por e sheh vetë populli çfarë mirëqenie është, se nuk e shohin njerëzit që po ikin poshtë e më poshtë. Në përgjigje të këtij banori, socialisti Rama theksoi se ne kemi për detyrë të bashkohemi dhe të ndryshojmë realitetin, duke lënë pas Saliun dhe gjithë politikën e vjetër të së shkuarës. Kështu, të jemi bashkë në ora 18:00, në sheshin "Skënderbej". Ai bëri thirrje se kjo ftesë është për familjet. Duke iu drejtuar të gjithë banorëve, Rama iu tha se lajmëroni familjarët, se nuk po bëjmë një miting partie, por një manifestim qytetar, që si qytetar të jemi të bashkuar, sepse së bashku, si të gjitha vendet e qytetëruara mund ti përballojmë të këqijat, mund ti shërojmë plagët, mund ti zgjidhim problemet. Ndryshe do të mbetemi peng i një grushti politikanësh, që për interesat e tyre na kanë përçarë për vite me radhë, përça e sundo. Kjo vlen për ta, tha Rama, por kjo nuk vlen për popullin, nuk vlen për ne. Po të jemi bashkë dhe po të çojmë derë më derë mesazhin e bashkimit si qytetar, ne nuk na zmbraps, jo askush, por asgjë. Shqipëria nuk ka asgjë më pak se vendet rreth e rrotull, për të qenë njësoj si ato. Blloku i Ali Demit ishte ndalesa e radhës e para dy ditëve të vullnetarët e bashkimit të ri për ndryshim për turin e lajmërimit derë më derë në Tiranë, për pjesëmarrje në manifestimin e madh qytetar që do zhvillohet në 15 Mars në 1 vjetorin e tragjedisë së Gërdecit. Duke iu drejtuar banorëve të kësaj lagjeje, Rama është shprehur se manifestimi i madh që do të zhvillohet në kryeqytet është për të gjithë që ndjejnë nevojën se ky realitet duhet të ndryshojë. Ditën e diel duhet të jemi së bashku, për të manifestuar nevojën e të gjithëve për ndryshim, në mënyrë që kostoja e jetës që rritet aforfe çdo muaj, me çmime, me fatura, me sigurinë e jetës, me mungesën e garancisë për të nesërmen, me papunësinë e varfërinë. Të gjitha këto të jenë arsye të mëdha për të qenë bashkë, jo për tu ndarë e përçarë. Jo ca këtej e ca andej me flamuj të ndryshëm, me dasi, sherre, grindje, që i ka nxitur politika në 18 vjet, është  shprehur Rama. Në një tjetër ndalesë në këtë lagje tiranase, kryesocialisti është takuar me një mekanik, i cili po ashtu pohoi për mungesën e punës, xhiron e paktë ditore dhe mbijetesën me punën e tij. Turi i Edi Ramës me vullnetarët e bashkimit të ri për ndryshim po shtrihet kështu në çdo lagje kryeqytetase me apelin për tu bashkuar të gjithë në sheshin Skënderbej tej fjamujve partiakë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›