E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të varfrit "harrojnë" kurbanin e Bajramit

Kurban Bajrami i gjen durrsakët më të varfër se kurrë. Shumë besimtarë nuk kanë mundur ta bëjnë kurban kafshën e kërkuar, për shkak të çmimeve dhe pamundësisë ekonomiko-financiare. Mishi i dashit a qengjit ka munguar në shumë familje. Diku është zëvendësuar me ndonjë pulë të lirë, a ndonjë gjel deti në bazë të mundësive, diku me ndonjë kilogram mish qengji të blerë në dyqan "sa për adet", e diku ka munguar fare. "E di që nuk mund të bësh kurban një pulë, por nuk kam mundësi të blej qengj a ndonjë gjel deti. Bleva një pulë të vogël 3 mijë lekëshe sa për të bërë gjak dhe kujtuar historinë e sakrificës së profetit Ibrahim, që ofroi birin e vet për Allahun. Ǒtë bëj më parë me 100 mijë lekët e pensionit?" - thotë duke u ankuar Bajamja, një pensioniste nga Durrësi. "Kjo e paska blerë një pulë, kurse unë s‘kisha me çfarë ta merrja. U zura ca kuleç fëmijëve" - nxiton të tregojë Manushaqja, e ardhur në Durrës. I shoqi është i papunë dhe vetë po ashtu. Bisedat bëhen në një dyqan ushqimor të lagjes Nr. 5. Ndërkaq, një burrë fut kokën në dyqan dhe pyet nëse shitësja ka nisur të japë veresie. "Jo, jo" - thotë ajo me bindje dhe burri largohet në kërkim të ndonjë dyqani tjetër, ku të mund të marrë pa para ndonjë ushqim. Ato do t‘i shlyejë në një kohë tjetër, kur të sigurojë punë ditore dhe të marrë ndihmën e vogël sociale nga bashkia. Në shumë prej familjeve nuk ka munguar vetëm mishi, por tryeza e festës fetare ka qenë mjaft e varfër dhe në shumë produkte të tjera. Çmimet në tregun e fruta-perimeve pësuan një ngritje të menjëhershme, duke synuar fitimin e shpejtë të tregtarëve në kurriz të atmosferës festive. Tryezat festive nuk kanë qenë aspak të tilla për mijëra familje. Ndërkaq, në rrugët kryesore të qytetit bregdetar që të çojnë për te xhamia e madhe dhe ajo e vogël, numri i lypësve është rritur ndjeshëm. Nuk sheh si dikur vetëm romët, por edhe shumë të moshuar e persona me handikap fizik, të cilët qëndrojnë në pritje të lëmoshës dhe solidaritetit të besimtarëve dhe kujtdo që kalon aty pari. Të shumtë kanë qenë edhe ata që kanë qëndruar në pritje të shpërndarjes së mishit të prerë nga xhamia për nevojtarët. Pas të bërit të kafshës kurban, mishi duhet të ndahet në tri pjesë dhe njëra shkon për të varfrit. Ndryshe nga atmosfera e trishtë në shumë prej familjeve durrsake në qytet e fshat, në xhaminë e qytetit të Durrësit shumë besimtarë kanë kryer faljen dhe dhënë urimet e rastit. Urime për këtë ditë janë përcjellë edhe nga pushtetarë e politikanë, që padyshim kanë parë dhe turmën e lypësve teksa kanë hyrë në xhami ku është shtruar dhe një koktej, ndërsa janë shkëmbyer urimet e rastit për më shumë paqe dhe harmoni.

Ndërkohë, në periferinë e qytetit shfaqet një tjetër pamje e trishtë. Dita e Kurban Bajramit, një festë tejet sinjifikative për besimtarët myslimanë, është ditë e zakonshme pune në mes të grumbullit të madh të plehrave në Porto Romano, atje ku për të fituar bukën e gojës duhet të matesh me kutërbimin dhe morinë e mbeturinave urbane të qytetit. Shumica e atyre që gërmojnë mes plehrave i përkasin besimit islam, por nuk nxitojnë të shkojnë të shtrojnë e të hanë drekën e madhe. Ndryshimi i vaktit nuk ka rëndësi për ta. "Do të hamë darkën. Tani duhet të punojmë" - thonë disa prej tyre dhe vazhdojnë të rrëmojnë në ato që qyteti hedh me shumicë çdo ditë nëpër kazanët e plehrave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›