E Diel, 1 Nëntor 2026

Romët, mes mbijetesës dhe "artit" të lypjes në ditë festash

Mijëra besimtarë nga qyteti i Kukësit, fshatrat rreth tij dhe Hasi u mblodhën në xhami për të falur namazin. Besimtarët i përshëndeti myftiu i qarkut, Ali Hallaçi, i cili e vuri theksin te falja, jo vetëm në kuptimin e fitrit për të vobektit, por tek ushtrimi i tolerancës që buron nga zoti, në mënyrë që njerëzit të jetojnë e të përparojnë në paqe. Myftiu i Kukësit uroi edhe qindra besimtarë turq, që punojnë në autostradën Durrës-Kukës-Prishtinë, një pjesë e të cilëve ishin të pranishëm në faljen e namazit, në xhaminë e Kukësit. Nga ana tjetër, tregtarë e biznesmenë të ndryshëm, në bashkëpunim me kryqin e kuq lokal, kanë dhuruar të holla, ushqime dhe mish për familjet e vobekta. Lokale të ndryshme në qytet kanë dhënë kafe falas për klientët, ndërsa furgonë të linjave të brendshme kanë transportuar pasagjerët pa pagesë. Por tregu i fruta-perimeve, ai ushqimor, i lodrave, apo i mishit kanë ruajtur të njëjtat çmime, madje me raste i kanë shtrenjtuar.

Komuniteti rom

Romët në Kukës përbëjnë një komunitet të vogël. Lëmoshat nga banorët kanë mbajtur prej shumë vitesh 20 apo 30 familje që jetojnë në tenda plastmasi në një zonë gjysmë industriale të periferisë. Në ditën e Kurban Bajramit, aty nga mesdita rrugët e qytetit boshatisen. Njerëzit pas pazareve e angarive të fundit rikthehen në familje për të festuar, por një grup i vogël romësh prej katër personash vazhdojnë të mbledhin "taksën e fundit", para se të largohen për në tendat e tyre. Xhemilja, Adena, Surabi, Gzimi... kanë siguruar të holla, por edhe ushqime për ditën e festës. Më e madhja e grupit, Xhemilja, 30 vjeçe, tregon se ka mbledhur lekë hekuri, që duhet të jenë "diku afër 12 mijë lekë", thotë ajo dhe ul nga supet çantën me "ndihma" ku ka makarona, oriz, një litër vaj, një qese me mish. Këto, të gjitha të falura. Xhemilja thotë se njerëzit janë treguar të pakursyer sot. "Pothuajse askush nuk na ka kthyer mbrapsht, dikush një lek të vogël, ndonjë dyqan na ka dhënë ushqime", shton ajo.

Një nga pjesëtarët e grupit, Adena i afrohet një autoveture dhe merr nga shoferi, si dhe nga pasagjerët "dhuratën" e radhës, ndërsa Xhemilja duke pritur më thotë: "Ne jemi si shejtani, ai rron me ato që njerëzit i mallkojnë, ndërsa ne rrojmë me ato që njerëzit na falin". Ajo flet edhe për marifetet e lypjes. "Ne diskutojmë gjatë - thotë - para se të lypim, ku dhe çfarë do t‘i themi, p.sh. Zoti të ruajt fëmijët, për të rriturit. A e sheh këtë çunin këtu, Surabin, vetëm sot e ka këtë emër, i kemi vënë emër turk, sepse kemi lypur edhe në mesin e punëtorëve turq të autostradës. Nesër ai do quhet prapë Renato". Kështu tregon Xhemilja, ndërsa dyemërshi, bashkë me Adenën, hyjnë në një ëmbëltore nga ku dalin me një tortë të madhe në duar. Ata largohen duke thënë: Hajt gëzuar, Zoti ju dhashtë...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›