E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, mollë sherri mazhorancë-opozitë

Pollo akuzon opozitën se ka shitur certifikatat me lekë
Propozimi i Partisë Socialiste për pajisjen me karta identiteti falas për personat që nuk kanë pasaportë, ka ngjallur debat të ashpër me krerët e qeverisë, të cilët e kanë cilësuar të panevojshëm. Reagimi i mazhorancës kundrejt projektligjit për karta identiteti falas për shtetasit pa pasaportë propozuar nga PS, nuk është mirëpritur nga kjo e fundit. Pasi depozitoi në Kuvend draftin, kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj, e deklaroi procesin të rrezikuar dhe sipas saj qeveria përveçse nuk po refuzon nisma konkrete po manipulon me shifrat. Por ka qenë zëvendës kryeministri Genc Pollo që e ka konsideruar nismën të panevojshme, pasi procesi sipas qeverisë po ecën me ritmet e duhura. Leskaj reagoi ndaj deklaratës së një dite më parë të Kryeministrit Sali Berisha, i cili nuk e pranoi këtë propozim të socialistëve. "Procesi duket edhe më i rrezikuar, duket edhe më dyshues sa ka qenë për sa kohë qe kryeministri jo vetëm nuk iu përgjigj kërkesës se opozitës, e bëri më dyshues, pasi të dhënat që solli ishin joreale dhe kontradiktore edhe nga ato të deklaruara nga zv.ministri i Brendshëm", u shpreh përfaqësuesja e opozitës në kuvend. Ndërkohë duke komentuar draftin që paraqiti në Kuvend, Leskaj tha se "me anë të këtij projektligji, do t'iu vihet në ndihmë të gjithë shtetasve pa pasaportë që nuk kanë mundësi financiare për të marrë kartat e identitetit".  Ajo vuri në dukje se fluksi i aplikimit të shtetasve, sidomos në zonat rurale është i ulët, pasi shërbimi është i papërballueshëm për shkak të pagesës. "Ne kemi gatë një vit që e ngremë këtë çështje, ndërkohë që jemi në limitet kohore të procesit, për shkak të afrimit të zgjedhjeve. Mungesa e kartave do të kishte kosto të lartë për vendin, pasi ajo lidhet me garantimin e së drejtës së votës. Propozimi ynë do të shërbente si një nxitje për shtetasit që të aplikojnë", tha znj. Leskaj.     
Pollo-opozitës: Ju dhe certifikatat i keni dhënë me lekë
Në reagimin e tij të menjëhershëm, numri dy i qeverisë Genc Pollo, e quajti hipokrizi kërkesën për shpërndarjen falas të kartave të identitetit. Madje ai propozoi një mënyrë më efektive për sensibilizimin e shtetasve që aplikojnë për dokumentin zgjedhor. "Kryeministri, zoti Rama, ndoshta po të doni zoti Meta, drejtues të tjerë të partive parlamentare, të mblidhen në një konferencë të përbashkët shtypi me një spot të përbashkët, me një formë që e gjykoni të përshtatshme dhe të bëjnë apel. Të thërrasin të gjithë qytetarët shqiptarë, që e kanë shtyrë për më vonë aplikimin për letërnjoftime. Të jepen letërnjoftimet pa lekë, është hipokrite. Asnjë vend i botës nuk e bën këtë, ju dhe certifikatat i keni dhënë me lekë", u shpreh Genc Pollo, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës. Duke përmendur vendimin e qeverisë për subvencionimin e pagesës për kartat e identitetit për kategorinë e pensionistëve, studentëve, rrogëtarëve të vegjël dhe të papunëve, Pollo theksoi se propozimi i PS-së synon të pengojë shtetasit me pasaportë nga aplikimi dhe kjo është parimisht e padrejtë dhe praktikisht e padobishme. Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij në parlament Zv/kryeministri iu përgjigj dhe deklaratës së opozitës për rrezik të procesit zgjedhor. "Është për të ardhur keq, sepse së bashku kemi reformuar sistemin zgjedhor, duke u përpjekur të gjejmë një të përshtatshëm për vendin tonë, që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme dhe këtë e bëmë me amendamentet kushtetuese të vitit të kaluar dhe me miratimin e kodit zgjedhor", tha z. Pollo. Ndërkaq ministri i Brendshëm Bujar Nishani ka siguruar se procesi i pajisjes me karta identiteti po ecën normalisht duke i quajtur reagimet e opozitës tendencioze. Në lidhje me këtë temë ka reaguar edhe deputeti demokrat Paloka, i cili theksoi se kam një propozim. Meqë Rama e ka me kaq merak punën e të varfërve, është mirë që të ul taksat e qytetarëve të Tiranës, për tiu dhunë atyre në këtë mënyrë mundësinë për të paguar kartat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›