E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat e identitetit, në javën e tretë të janarit

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, ka deklaruar për "Shqip" se kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike do të jenë gati në javën e tretë të janarit 2009. Për kartat e identitetit do të hapen në gjithë Shqipërinë mbi 400 qendra aplikimi, ku shqiptarët do të japin të dhënat në një formular, do të bëjnë një foto dixhitale dhe do t‘u merren shenjat e gishtërinjve.

Teliti sqaron se "Karta e identitetit do të jepet nga mosha 16 vjeç e sipër dhe ajo do të ketë afat përdorimi për 10 vjet". Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile sqaron edhe dilemën se çfarë do të ndodhë me pasaportat e kuqe, të cilat do të zëvendësohen me ato biometrike që do të kenë ngjyrën e pasaportave të Bashkimit Evropian. Kartat e identitetit do të zëvendësojnë certifikatat dhe do të eliminojnë radhët e gjata të qytetarëve në zyrat e gjendjes civile.

Zoti Teliti, qeveria ka miratuar dizajnin e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike me gjithë premtimin se shqiptarët do të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës me kartat e identitetit. Kur do t‘i kenë në dorë shqiptarët kartat e identitetit?

Ashtu siç është deklaruar në mënyrë të shpeshtë dhe në përputhje me kalendarin e nënshkruar në kontratën me firmën "Sagem" dhe Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, ne do të kemi gati fillimin e shpërndarjes së pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit diku nga mesi i janarit, ose thënë ndryshe java e tretë e janarit të vitit 2009. Ky është një proces që po ecën mirë. Së fundmi ka kaluar në Këshillin e Ministrave vendimi për miratimin përfundimtar të dizajnit së kartës së identitetit dhe të pasaportës. Mund të themi me kënaqësi që kemi sot në dorë një proces të përfunduar të dy dokumenteve që reflekton standardet më të mira të dokumenteve në nivel evropian. Kartat e identitetit dhe pasaportat me elemente sigurie u garantojnë qytetarëve sigurinë dhe u japin shqiptarëve një dokument autentik që të vërtetojnë identitetin e tyre. Por gjithashtu, janë edhe dokumente vizualisht të bukura që mund t‘i konsiderojnë si një rezultat të mirë të disa përpjekjeve disamujore të qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për të arritur në këtë nivel.

Është folur shumë për elementet e sigurisë. Faktikisht, cila është diferenca e pasaportës së re biometrike ndryshe nga pasaporta që po përdoret aktualisht nga shqiptarët?

Nëse bëjmë një krahasim me pasaportën e mëparshme, mund të themi se pasaporta e mëparshme për nga elementet e sigurisë vuante në mënyrë të ndjeshme. Ndërkohë që pasaporta aktuale dhe kartat e identitetit kanë një seri elementesh sigurie të nivelit më të lartë të direktivave të Bashkimit Evropian. Pra, mund të themi me siguri që dokumentet tona janë dokumentet më të sigurta që do të qarkullojnë në Evropë në vitet në vazhdim. Kjo për faktin se pikërisht se ajo që ne po i bëjmë pasaportat në këtë moment, do të thotë që ne kemi përfaqësuar teknologjinë e nivelit më të lartë. Dhe e vetmja anë e faktit që ne po i bëjmë vonë dokumentet është se po kapim shkallën më të lartë të teknologjisë dhe zhvillimit. Ajo çka e bën të dallueshme në mënyrë definitive është përmbajtja e një cipi elektronik që do të ketë shenjat e gishtave që do ta bëjë pasaportën dhe kartën e identitetit të çdo qytetari të pangatërrueshme dhe të papërsëritshme. Siç dihet, shenjat e gishtave janë një shenjë biometrike e pangatërrueshme dhe shkencërisht është e përcaktuar kjo gjë dhe në këtë kuptim pasja e shenjave të gishtave si në pasaportë dhe në kartë përbën dokumentin unik. Por ne nuk jemi mjaftuar me kaq. Elementë të tjerë sigurie janë vendosur në pasaportë. Si faqja e të dhënave të pasaportës ashtu edhe e tërë karta janë në polikarbonatë dhe shënimet në to janë me lazerin ingrey, që është një teknologji e përcaktuar nga të gjitha vendet e zhvilluara të BE-së dhe jep garanci për sigurinë dhe efikasitetin e këtyre dokumenteve. Gjithashtu, element tjetër sigurie janë mikrotekstet, janë relievet e ndryshme që ndodhen në katër cepat e pasaportës, është një seri me dizajne që ndryshojnë ngjyrë në pozicione të ndryshme, kemi hartën e Shqipërisë dhe të Evropës që janë të vendosura edhe në kartë edhe në pasaportë. Në kartë në anën e majtë kemi të vendosur hartën e Shqipërisë dhe në krahun e djathtë harta e Evropës. Ndërsa te pasaporta janë të dyja më pranë me të njëjtën vendosje edhe majtas edhe djathtas. Kemi një fotografi dixhitale që është e gdhendur në lazerin ingrey. Faqet e vizave kanë elemente të tjerë sigurie, kanë shënime që lexohen nëpërmjet rrezeve ultravioletë, kanë gjithashtu uotermarkun që është një portret i Skënderbeut që është i vizatuar në brendësi të shqiponjës. Ka një shirit sigurie në çdo fletë që është shënuar në mikrotekst Republika e Shqipërisë me dy ngjyra. Kjo i bën këto dokumente të pakrahasueshme me dokumentet e mëparshme dhe të krahasueshme me dokumentet që qarkullojnë sot në Evropë dhe në botë. Një ndër elementet e tjerë është kinograma, e cila është stilizuar një shqiponjë që po ta shikosh në kënde të ndryshme ka një valëzim të krahëve në krahun e majtë dhe në sfondin e këtij fluturimi të shqiponjës ne kemi siluetat reale të tre maleve të Shqipërisë të Korabit, Tomorit dhe Dajtit që janë të inkuadruar në këtë element tjetër sigurie të rëndësishëm.

Për të qenë më të qartë për opinionin. Në ç‘mënyrë do të ndahen kartat e identitetit, çfarë duhet të bëjë një qytetar për ta pasur kartën në dorë?

Atëherë, për kartat e identitetit, do të hapen në gjithë Shqipërinë mbi 400 qendra aplikimi nga firma fituese në të cilën qytetarët shqiptarë do të shkojnë të aplikojnë. Dhe të dhënat e qytetarëve shqiptarë do të merren direkt online nga regjistri i gjendjes civile nëpërmjet një ndër faqeve që është krijuar ndërmjet këtyre sistemeve. Pra sistemi aktual i regjistrit të gjendjes civile përfshin të gjitha të dhënat e qytetarëve shqiptarë dhe këto të dhëna do të transmetohen për çdo aplikues në ekranin e zyrës së aplikimit. Aty do të printohet një modular, i cili, pasi të jetë lexuar dhe verifikuar nga qytetari për të parë nëse të dhënat e tij janë të sakta do të firmoset nga qytetari. Ai do të lërë shenjat e gishtave, do t‘i bëhet një fotografi dixhitale dhe në këto kushte do të kemi të plotësuar të gjithë kuadrin e të dhënave të nevojshme për të marrë këto dokumente. Pastaj ky aplikim, do të vijë në Tiranë në qendrën e personalizimit për të pasur mundësinë e elementeve të sigurisë, pasi aty do të prodhohen kartat, nga një makinë e vetme. Dhe përsëri kartën e identitetit do ta tërheqin aty ku kanë aplikuar. Ndërsa pasaportat do t‘i tërheqin pranë komisariateve të policisë, për shkak të sigurisë që paraqet pasaporta. Gjithashtu, në momentin që do të tërheqin dokumentet do të bëhet një verifikim i shenjës së gishtit të personit që tërheq dokumentin në rast se korrespondon me atë që ka aplikuar në fillim. Në rast se kjo nuk ndodh do të thotë se kemi një mospërputhje me shenjën e gishtit ky dokument është i pavlefshëm megjithëse është i prodhuar, por i pavlefshëm për t‘u përdorur. Kjo bëhet për të garantuar në mënyrë definitive sigurinë.

Cila është mosha minimale që një person duhet të pajiset me kartën e identitetit?

Karta e identitetit do të jepet nga mosha 16 vjeç e sipër. Ajo do të ketë afat përdorimi për 10 vjet dhe më pas do rinovohet.

Sa do të paguajnë shqiptarët për të pasur në dorë kartën, por edhe pasaportën biometrike?

Shqiptarët do të paguajnë siç janë të përcaktuar në ofertën fituese të tenderit. Për pasaportën do të paguajnë 5 mijë lekë aq sa paguanin për një pasaportë që s‘kishte këto elemente sigurie dhe që ishte një bllok letre i thjeshtë. Ndërsa për kartën e identitetit çmimi është 1167 lekë që është përcaktuar në kontratën me firmën fituese. Me elementet e sigurisë që paraqet kjo kartë, ky çmim është i përshtatshëm, pasi kjo kartë do ta shpëtojë qytetarin shqiptar nga detyrimi për të qëndruar në radhë për marrjen e certifikatës dhe do t‘i japë atij një dokument të vlefshëm që do të zëvendësojë të gjitha dokumentet e tjera dhe që do të jetë identifikues për personin.

A ka një shifër totale se sa janë shpenzuar për kartat e identitetit. Sa është vlera totale e këtij projekti?

Kjo nuk është një çështje të cilën ne mund të japim një

referencë, pasi siç dihet qeveria shqiptare ka zgjedhur formën koncensionare. Është e rëndësishme se nga buxheti i shtetit nuk është derdhur asnjë lek për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave shqiptare. Kjo gjë mbulohet nga firma koncensionare, e cila ka marrë në koncesion këtë shërbim për t‘u ofruar qytetarëve shqiptarë këto dy dokumente. Gjithçka do të bëhet me shpenzimet e firmës, duke filluar nga qendra e aplikimit te blloqet e pasaportave apo materialeve të tjera.

Dilema e madhe tani qëndron në faktin se çdo të ndodhë me pasaportat e vjetra. Do të dalin nga qarkullimi pasaportat e kuqe?

Ne kemi marrë një impenjim, i cili është i rëndësishëm edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë, për shkak se pasaportat e vjetra nuk përbëjnë më një element sigurie të krahasueshëm me dokumentin që ne po marrim, atëherë brenda një harku kohor të 2 viteve nga prodhimi i pasaportës së parë ne do të fillojnë nxjerrjen nga përdorimi të pasaportës së kuqe. Por unë besoj shumë se qytetarët shqiptarë duke parë dallimin thelbësor midis dy pasaportave dhe fakti që Bashkimi Evropian në qershor të vitit 2009 do të kërkojë aplikimin e vizave biometrike dhe pasaportave biometrike për gjithë qytetarët e BE-së, unë mendoj se do të ketë një fluks të madh të ndërrimit të pasaportave nga qytetarët shqiptarë në mënyrë vullnetare për të pasur një dokument të vlefshëm, një dokument që na jep një autoritet tjetër si në raport brenda vendit, por edhe në raport me vendet e tjera, qoftë edhe me ambasadat e huaja. Ajo që doja të theksoja është fakti që pasaporta shqiptare do të ketë ngjyrën e 27 vendeve të BE-së. Ishte parashikuar të kishte një ngjyrë tjetër, por sipas direktivës së BE që të gjitha pasaportat e vendeve anëtare të BE-së të kenë ngjyrën bordo, atëherë edhe ne vendosëm që pasaporta e shqiptarëve të mos ketë asnjë ndryshim nga pasaporta e vendeve evropiane, pavarësisht se nuk shkruan vend i Bashkimit Evropian, sepse është një gjë që s‘e kemi akoma, por që ne e aspirojmë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›