E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transmetimet me pagesë, 30 të akuzuar për vjedhje sinjali

Policia ka arrestuar 16 persona për prodhim të kartave të klonuara të platformave dixhitale shqiptare dhe të huaja

14 të tjerë hetohen në gjendje të lirë, ndërsa policia sekuestroi aparatura që merrnin sinjal nga interneti dhe karta të klonuara


TIRANE- Së paku 30 persona është numri i të akuzuarve, për klonimin e kartave të platformave të transmetimeve të ndryshme numerike, pas operacionit të policisë së kryeqytetit të shtrirë në Shkodër Durrës, Berat Fier Vlorë dhe Korçë.

Nga këta persona, sipas burimeve të policisë, janë arrestuar 16 vetë ndërsa 14 të tjerë, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë me akuzat e mashtrimit kompjuterik dhe ndërhyrjes së paautorizuar në rrjetet kompjuterike.

"Personat që ishin të implikuar në këtë aktivitet kriminal, pasi kryenin riprogramimin e aparateve dixhitale nëpërmjet sinjalit të internetit, bënin të mundur marrjen e të dhënave në lidhje me programet e kompanive të ndryshme televizive kabllore shqiptare e të huaja, si "Tring", "Dixhitalb", "Premier Leauge", "Skai", "Nova", eventet sportive etj" thanë burimet zyrtare të policisë.

Burime të policisë, por edhe pranë këtyre kompanive kanë pohuar se "klientët" më të mëdhenj të këtyre platformave ishin pikat e ndryshme të llotarieve dhe basteve sportive.

Në muajin nëntor, të vitit të kaluar, Policia e Tiranës ka marrë kallëzim se në disa pika të ndryshme në Tiranë, tregtohen aparate "Dixhitale" të riprogramuara dhe të klonuara.

Madje vetë distributorët dhe shitësit e kompanive në rrethe kanë ngritur shqetësimin e uljes së nivelit të shitjeve, e ardhur nga kjo veprimtari.

Madje shumë prej tyre mësohet se kishin marrë kërkesa për blerje të këtyre lloj aparateve që merrnin sinjalin nëpërmjet internetit. Denoncimi i regjistruar në policinë e Tiranës ka bërë që të nisnin hetimet për të identifikuar disa prej pikave që tregtonin këto aparate në kryeqytet dhe në disa rrethe të vendit.

Sipas policisë, dyqanet të cilat tregtonin aparaturat dixhitale përmbanin reklamën e shitjes së kompanive, por që në fakt ato ishin pirate.

Burime nga policia thanë se nga hetimet e para u zbulua se disa persona kishin bërë të mundur ndërhyrjen në rrjetet e disa televizioneve dixhitale kombëtare dhe ndërkombëtare duke zbërthyer kodet e tyre dhe më pas duke marrë sinjalet. "Ata kanë kryer shitjen në mënyrë pirate nga 200 deri në 350 euro, për programet e këtyre paketave dixhitale",- pohoi policia


Operacioni


Pas hetimeve gjashtë mujore, policia zhvilloi dy ditë më parë operacionin "MODEM" me qëllim kapjen e personave të identifikuar nga hetimet si mashtruesa kompjuterikë. Burime nga policia thanë se ishin 16 persona të cilët duhet të arrestoheshin dhe kapja e tyre do të kryhej paralelisht, ndërsa për 14 persona të tjerë, nisja e procedimit në gjendje të lirë qe e detyrueshme.

Kështu në disa rrethe të vendit dhe në Tiranë, policia organizoi operacionin i cili zgjati disa orë, por përfundoi me kapjen e 16 personave të cilët kishin përfituar para duke shitur karta dixhitale të klonuara.

"Pas dokumentimit të veprimtarisë kriminale të çdo personi për veprën penale të "mashtrimit kompjuterik", e kryer në bashkëpunim, Gjykata e Tiranes në datës 16 prill të këtij viti, ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg" për 11 persona, prokuroria lëshoi urdhër ndalimi për pesë persona të tjerë.

Gjatë shoqërimit dhe kontrolleve të banesave të personave të akuzuar u sekuestruan në cilësinë e provave materiale 50 copë kompjutera të markave të ndryshme dhe "Server" , 20 copë kompjuterë të tipit "Lap- Top", 1000 copë aparate "Dixhitale" të tipave të ndryshme të markave "Dream Box", "Echolink", "Orbitum","Metabox". Gjithashtu u sekuestruan 500 copë karta plastike me çip për dekodifikimin e sinjalit dhe 30 aparate telefoni celulare.

Të arrestuarit:
Saimir Kuniqi 55-vjeç, Tiranë
Alfred Kadiu 30-vjeç, Tiranë
Eldi Vorpsi 23-vjeç, Tiranë
Edison Shema 32-vjeç Tiranë
Sokol Shalca 48-vjeç, Tiranë
Sokol Kadare 38-vjeç, Tiranë
Spiro Zguri 48-vjeç, Korçë
Dhimitraq Papa 55-vjeç, Durrës
Saimir Likollari 31-vjeç, Berat
Marin Palushi 36-vjeç, Shkodër
Ilir Nushi 32-vjeç, Fier
U ndaluan me urdhër të Prokurorisë
Xhaferr Gixhari 23-vjeç, Tiranë
Artan Priftuli 44-vjeç, Tiranë
Fatmir Çupi 32-vjeç, Tiranë
Ilir Dylja 38-vjeç, Durrës
Eduart Koka 42-vjeç, Tiranë

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›