OSSH: Nuk do të ketë rritje të çmimit
ENERGJIA
TIRANË- Operatori i Sistemit të Shpërndarjes nuk ka kërkuar rritje të çmimit të energjisë për këtë vit. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni, Sahit Dollapi, OSSH-ja nuk ka aplikuar për ndryshimin e çmimit të energjisë, por edhe sikur të aplikonte, ky ndryshim do të hynte në fuqi gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
"OSSH-ja nuk ka aplikuar për ndryshimin e çmimit, për rritjen e tij, nuk ka aplikuar dhe nuk do të aplikojë për këtë proces.
Gjithashtu, duhet të sqarojmë se, edhe në qoftë se aplikohet për rritjen e çmimit në një moment, afatet ligjore janë gjashtë muaj pas aplikimit për ndryshimin e çmimit", - tha Dollapi.
Deklaratat e drejtorit të Përgjithshëm të OSSH-së, vijnë disa ditë pasi përfaqësuesi i Bankës Botërore, Demetrios Papathanasiou, zbardhi para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, skemën më mënyrën se si do të rritej çmimi i energjisë elektrike gjatë vitit 2010 në Shqipëri.
Sipas tij, rritja e çmimit të energjisë do të varet nga zhvillimet e tregut rajonal përgjatë vitit 2010.
Në rastin më të mirë, energjia elektrike pritet të shënojë një rritje me nëntë për qind, ndërsa, nëse do të hasen vështirësi në furnizimin e rajonit me energji, rritja për konsumatorët shqiptarë do të arrijë deri në masën 15 për qind.