E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredi nga FMN-ja, për të zbutur efektet e krizës

FMN-ja ka 750 miliardë USD në dispozicion. Meksika dhe Polonia aplikojnë për kredi. Zbuten kushtet.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i kërkon qeverisë të aplikojë për kredi nga Fondi Monetar.

Qeveria shqiptare mund ta kthejë edhe njëherë shikimin nga FMN-ja për të marrë kredi në mungesë të gjetjes së burimeve të tjera të financimit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha dje në Kuvend, gjatë raportimit vjetor, se Shqipëria duhet të përfitojë nga fondi i mbledhur nga 20 vendet më të zhvilluara të botës.

Dy javë më parë, kryetarët e 20 vendeve më të zhvilluara të botës ranë dakord të siguronin një fond prej 1.2 trilionë dollarësh, për kreditimin e ekonomive të vendeve të prekura nga kriza. FMN-ja do të menaxhojë deri në 750 miliardë dollarë të këtij fondi dhe do t'i shpërndajë në varësi të zhvillimeve që do të ndodhin në ekonomitë botërore. Fullani paralajmëroi vështirësi në sigurimin e burimeve financiare, për shkak të politikave shtrënguese të kreditimit.


"Shtrëngimi i kushteve financiare në ekonomi, pamjaftueshmëria e burimeve të brendshme dhe problemet e tregut financiar ndërkombëtar, e bëjnë të nevojshme gjetjen e burimeve të huaja të financimit. Për këtë qëllim, duhet vlerësuar çdo opsion i mundshëm, përfshirë dhe programet e mbështetjes nga institucionet ndërkombëtare të specializuara.

Banka e Shqipërisë gjykon se Shqipëria duhet të përfitojë medoemos nga fondi ndërkombëtar i krijuar nga mbledhja e njëzet vendeve më të zhvilluara, pasi ajo plotëson të gjitha kushtet",- tha dje Fullani para deputetëve. Vetë qeveria ka hasur në vështirësi për marrjen e një kredie tregtare prej 250 milionë eurosh. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha pak ditë më parë se ajo pritet të disbursohet në muajin maj. Ndërkohë që, interesi i borxhit të brendshëm ka kaluar nivelin e 9 përqindëve.


Fondi


FMN-ja ka ngritur një linjë të re kreditimi miliarda dollarëshe për të ndihmuar vendet e ndikuara nga kriza botërore. Meksika dhe Polonia kanë aplikuar, respektivisht për 47 dhe 20.5 miliardë dollarë secila. Fondi ka vendosur rregulla të reja për kreditimin e vendeve.

Për të përfituar nga fondi, ekonomitë e vendeve aplikuese duhet të kenë një performancë të kënaqshme makroekonomike dhe efektet e krizës të kenë qenë nga jashtë. Si pjesë e një reforme të gjerë në praktikat e saj të kreditimi, të publikuara në mars, FMN-ja ka ripërcaktuar mënyrën e marrëveshjes me vendet mbi çështjet që lidhen me reformat strukturore të ekonomisë.

"Qëllimi i Fondit është të largojë procedurat që kanë dëmtuar dialogun me disa vende dhe kanë frenuar vende të tjera të kërkojnë asistencë financiare. Kur një vend merr hua nga FMN-ja, qeveria e tij bie dakord për të rregulluar politikat ekonomike që të tejkalojnë problemet që e çuan atë në kërkimin e një ndihme financiare",- thuhet në faqen zyrtare të këtij institucioni. Këto kërkesa për marrjen e huasë, janë njohur në zhargonin e FMN-së si "kushtëzim". Në shumicën e programeve të Fondit, kredia jepet e ndarë në pjesë, dhe varet nga zbatimi i kushteve që jepen sipas një programi të përcaktuar qartë.

Tipat e kushtëzimit janë dy llojesh, së pari kushtet makroekonomike, të cilët mund të përfshijnë kriterin e frenimit të inflacionit, reduktimin e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, ose forcimin e rezervës së Bankës Qendrore. Së dyti, kushtet strukturore, të cilat mund të përfshijnë masa për forcimin e mbikëqyrjes së sistemit bankar, reformimit të sistemit të taksave dhe ngritjen e rrjeteve të sigurisë sociale. "Në të shkuarën, FMN-ja është kritikuar nga disa qeveri dhe organizatat jofitimprurëse, se kërkon shumë reforma në këmbim të asistencës financiare",- citohet në faqen zyrtare të FMN-së.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›