E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, qytetarët u shpëtojnë taksave vendore

Pajisja me karta nxjerr jashtë loje certifikatat dhe detyrimin që shtrëngonte qytetarët. Punonjësit në njësitë bashkiake parashikojnë ulje të pagesës së detyrimeve vendore

Emanuela Sako

Pajisja me kartat e identitetit duket se do të shfrytëzohet nga qytetarët për t’i shpëtuar pagesës së taksave vendore. Punonjësit e gjendjes civile shprehen skeptikë për këtë vit mbi pagesën e detyrimeve mujore të taksave vendore. Sipas tyre, pajisja me karta do të ulë domosdoshmërinë e marrjes së certifikatave, gjë që bën të mundur që qytetarët nuk do të mund të detyrohen për të paguar taksat pranë njësive vendore, pavarësisht se pagesa e taksave është një detyrim ligjor i çdo qytetari. Rregullorja për pagesën e taksave parashikon që taksat të paguhen në njësitë vendore përkatëse dhe çdo qytetari që nuk ka shlyer detyrimet mujore nuk do t’i ofrohet shërbimi në gjendjen civile, si marrja e certifikatës apo e ndonjë dokumenti tjetër në njësinë përkatëse.
Pajisja
Disa qytetarë janë shprehur se kanë aplikuar për kartë se iu duhet për një sërë shërbimesh të tjera. Sipas tyre, nëse do të pajisen me kartë, nuk do t’u bjerë rasti për të tërhequr dokumente pranë njësive vendore. Punonjësit e njësive shprehen se detyrimi i shlyerjes së taksave nga qytetarët mund të vijë në ulje. Sipas tyre, asnjë rregullore e re për ndryshimin e mënyrës së pagesës së taksave nuk është hartuar apo komunikuar nga autoritetet përkatëse, ndërsa procesi për pajisjen me karta identiteti është në javën e katërt të tij. Sakaq asnjë kartë nuk është shpërndarë në njësitë vendore, ashtu siç ishte parashikuar.
Çështja
Ministria e Brendshme ka dorëzuar pranë njësive bashkiake listën e personave që nuk janë të pajisur me pasaportë. Për këtë kategori qytetarësh ishte premtuar se do të kishin prioritet për pajisjen e menjëhershme me karta identiteti, me të cilat do t’u drejtoheshin kutive të votimit. Rregullorja parashikon që të gjithë qytetarët që nuk disponojnë një pasaportë, brenda datës 10 shkurt do të njoftohen nga njësitë vendore nëpërmjet një formulari të veçantë. Kështu, njësitë bashkiake do të identifikojnë çdo banor që nuk është pajisur me pasaportë dhe do t’i dorëzojnë formularin. Më pas, ata do të njoftohen nga njësia përkatëse për të kryer aplikimin brenda këtij muaji. Burime nga njësitë vendore pohojnë se numri i qytetarëve që nuk disponojnë pasaporta është i lartë dhe pajisja me letërnjoftim është e domosdoshme. Burime nga Ministria e Brendshme sqarojnë se statistikat tregojnë se aktualisht në vendin tonë ka rreth 730 mijë persona që nuk disponojnë pasaporta. Autoritetet e konsiderojnë një shifër tepër të lartë të qytetarëve që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të pajisen me pasaportë. Ndërkohë, në zyrat e gjendjeve civile, pranë minibashkive në Tiranë, ende nuk ka filluar shpërndarja e kartave të identitetit.

Dëbora shkakton probleme për lëvizjen e banorëve në Kukës

Dëbora është bërë sërish problem për lëvizjen e banorëve dhe qarkullimin e automjeteve në rrethin e Kukësit. Zonat malore në verilindje të vendit janë përfshirë përsëri nga reshjet e dëborës, duke rikthyer problemet e lëvizjes në aksin problematik të Qafës së Malit në Kukës. Në segmentin Qafë Shllakë – Qafë Mali, reshjet e dëborës kanë bllokuar për disa orë qarkullimin e mjeteve. Trashësia e dëborës ka qenë më pak se 20 centimetra, por të ftohtit dhe rruga e ngushtë e me kthesa të forta ka bërë që disa automjete të rënda të rrezikonin seriozisht të binin në humnerë. Rruga është liruar vetëm pas disa orësh. Në janar të këtij viti, segmenti i Qafës së Malit u bllokua nga dëbora dhe akulli për gati tri javë, ndërsa kamionët e tonazhit të rëndë e kanë pasur të pamundur të kalojnë.

KRRT-ja e Shkodrës bllokon ndërtimin e pallateve mbi 8 kate

KRRT-ja e Shkodrës vendos bllokimin e ndërtimit të pallateve mbi 8 kate në këtë qytet. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së fundit të KRRT-së së Shkodrës dhe lidhet me planin rregullues të qytetit. Por, duket se ka pasur kundërshtime për një vendim të tillë.
Prej vitesh, qyteti verior është përfshirë nga ndërtimi i pallateve mbi tetë kate në periferi dhe qendër të tij. Tashmë asnjë ndërtim nuk do të jetë më shumë se tetë kate në qytetin e Shkodrës. Ky ka qenë vendimi i KRRT-së së Shkodrës, i cili u mor në mbledhjen e pak ditëve më parë. Konfirmimi ka ardhur nga shefja e urbanistikës pranë Bashkisë së Shkodrës, Aida Shllaku, e cila bëri të ditur se një vendim i tillë lidhet me planin rregullues të qytetit. Sipas banorëve, ndërtimi i pallateve të reja nuk duhet të kalojë 5-katet për ndryshe krijon një pamje jo të bukur të këtij qyteti.

Peqin, 11 milionë lekë për rikonstruksionin e rrugës hyrëse të qytetit

Me një fond prej 11 milionë lekësh nga buxheti i shtetit ka nisur puna për rikonstruksionin e rrugës hyrëse të qytetit të Peqinit, me një gjatësi rreth 300 metra. Kryetari i Bashkisë së Peqinit, Ilir Rrushi, theksoi se puna për rikonstruksionin e aksit rrugor nga Ura e Teqes deri te Dega Ushtarake, në hyrje të qytetit ka nisur prej një jave. Sipas tij, ky investim realizohet në kuadër të planit rregullues të qytetit. Punimet, të cilat po kryhen nga firma “Febius”, parashikohet të përfundojnë në fund të muajit shkurt. Në këtë aks rrugor konkretisht do të kryhen investime në kanalizimet e ujërave të zeza, trotuare, ndriçim dhe gjelbërim.

Vitet e fundit, fondi i sigurimeve shëndetësore është rritur 13 herë

Fondi i sigurimeve shëndetësore ka pësuar një rritje vjetore të konsiderueshme nga viti në vit. Kështu, që nga viti 1995 deri sot, ai është rritur 13 herë. Nga 0.8 miliardë lekë që ishte në vitin 1995, për vitin 2008 fondi arriti në rreth 11.1 miliardë lekë. Sipas Institutit të Sigurimeve dhe Kontributeve Shëndetësore, burimet kryesore të financimit të skemës së sigurimeve shëndetësore janë: kontributi i sigurimeve shëndetësore, buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera. Për vitin 2008, burimet financiare për ISKSH-në përbëheshin në pjesën kryesore nga buxheti i shtetit me 53.2%, nga kontributet e sigurimeve shëndetësore 46.35% dhe 0.45% nga të ardhura të tjera. Kontributi i popullsisë aktive ka ardhur në rritje. Nga 953 milionë lekë që ishte në vitin 1996, arriti në 4.1 miliardë lekë në 2007, me një rritje prej 4.3 herë më shumë, ose 5 herë më shumë kundrejt vitit 1996. Për vitin 2008, të ardhurat për ISKSH-në nga buxheti i shtetit llogariten të jenë në masën 5,937 milionë lekë. Ndërsa, të ardhurat faktike nga kontributi i sigurimeve shëndetësore llogariten në 5,173 milionë lekë; të ardhura të tjera në vlerën 50 milionë lekë. Në total, të ardhurat faktike për vitin 2008 për ISKSH-në janë 11,160 milionë lekë, shifër kjo në rritje krahasuar me vitet e kaluara. Për vitin 2009, të ardhurat parashikohen të arrijnë në 12. 310 milionë lekë, ose 10.3 % më shumë se programimi i vitit 2008. Këtë vit pritet që niveli i kontributeve të sigurimeve shëndetësore të arrijë në 6,329 milionë lekë, ose 22.35 % më shumë nga plani 2008, pasi pritet të rritet numri i kontribuesve dhe i pagës, mbi të cilën paguhen kontributet. Sipas të dhënave zyrtare, kontributet nga sigurimet shëndetësore zënë 51.41 % të totalit të të ardhurave nga ISKSH.

11 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›