E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra e Bashës për Bankën Botërore: Dalim ne garant për Malltezin

Paneli i Bankës zbulon për herë të parë rrethanat e përzgjedhjes së Malltezit. Një pjesë e stafit të Bankës kundërshtoi sepse Malltezi ishte më pak i kualifikuar

Habjon Hasani

Tiranë - Emërimi i dhëndrit të kryeministrit si koordinator për planin e bregdetit jugor në vitin 2006 nuk ka kaluar pa debate edhe në stafin e Bankës Botërore asokohe. Raporti investigativ i Panelit të Inspektimit të BB-së saktëson gjithë mënyrën se si u përzgjodh zoti Malltezi si koordinator i këtij projekti. Sakaq, është evidente se ka qenë një shkresë e posaçme e Ministrisë së Transporteve ajo që ka “garantuar” se Malltezi jo vetëm që ishte kandidati më i përshtatshëm, porse ai do të shfrytëzonte gjithë kapacitetet dhe njohjet e tij për të arritur maksimalisht qëllimet. Megjithatë, një pjesë e stafit t Bankës duket se nuk ka besuar asnjë nga këto “përbetime” të Ministrisë së Transporteve, asokohe të drejtuar nga Lulzim Basha. “Në datën 3 shkurt të vitit 2006 Banka mori në dorëzim raportin vlerësues me listën e shkurtër të kandidatëve për postin e koordinatorit të projektit. Komisioni i Vlerësimit (i udhëhequr nga Ministria e Transporteve), zgjodhi unanimisht koordinatorin aktual të projektit (z. Malltezi). Në të njëjtën kohë, stafi rajonal i Bankës, i cili po mbikëqyrte procesin e përzgjedhjes së koordinatorit, vuri në dukje disa mospërputhshmëri në raportin e vlerësimit, duke theksuar se kandidati i përzgjedhur (z. Malltezi) nuk kishte një kualifikim më të mirë se kandidatët e tjerë (e komunikuar më 7 shkurt 2006). Stafi rajonal gjithashtu tërhoqi vëmendjen sa u takon lidhjeve që kishte kandidati i zgjedhur me personazhe të botës politike”, - nënvizon Paneli i Inspektimit në raportin e tij, duke i vënë vulën faktit se dhe brenda Bankës Botërore kishte njerëz që jo vetëm mendonin se Malltezi ishte në konflikt interesi, por edhe se ai nuk e meritonte atë vend, pasi konkurrentët i kishte më të kualifikuar se veten.
Basha
Por, ndërsa stafi rajonal i Bankës shprehu menjëherë dyshimet e tij, zyrës projektuese të kësaj banke iu desh që t’i justifikonte këto “mangësi” dhe “konflikte interesi” të zotit Malltezi. Në këtë moment hyn në lojë Ministria e Transporteve. Ajo i dërgon Bankës një letër ku jep të gjitha garancitë për zotin Malltezi, letër kjo që u përdor prej zyrës “për bregdetin” në këtë bankë për të qetësuar stafin drejtues rajonal të saj. “Megjithatë, skuadra e projektit të Bankës deklaroi se ishte e kënaqur me përzgjedhjen e këtij kandidati, pasi Banka nuk kishte arsye të diskutonte në këtë kontekst, sepse kishte marrë një konfirmim në formë zyrtare nga Ministria e Transporteve se Komisioni i Vlerësimit nuk ishte bazuar dhe nuk ishte ndikuar në asnjë lloj mënyre nga zyrtarë të lartë qeveritarë, në mënyrë direkte apo indirekte, sa i takon përzgjedhjes së koordinatorit të projektit, sikurse dhe pagesa e tij do të jetë e njëjtë me atë të të gjithë zyrtarëve që kanë mbajtur këtë pozicion (letër e dërguar nga Ministria e Transporteve më 13 shkurt 2006)”, - thekson raporti i investiguesve të Bankës, i cili vërteton katërcipërisht se ka qenë pikërisht Ministria e drejtuar nga zoti Basha ajo që e ka shpëtuar dhëndrin e kryeministrit nga dyshimet që ngritën krerët e Bankës në Tiranë.
Malltezi
Por duket se edhe para se të zhvillohej konkursi për zgjedhjen e zotit Malltezi, zyra e Bankës Botërore në Tiranë i shfaqi qeverisë shqiptare kërkesën për të rinovuar kontratën me ish-koordinatorin (që ishte para Maltezit), i cili kishte punuar për dy vite në këtë funksion. Por qeveria shqiptare refuzoi në mënyrë të prerë rinovimin e kësaj kontrate, ndërsa në konkursin që pasoi këtë vendim, konkurrent ishte dhe dhëndri i kryeministrit. “Koordinatori aktual i projektit (Jamarbër Malltezi) u zgjodh në këtë post në shkurt të vitit 2006. Koordinatori paraardhës i projektit e përfundoi kontratën e punës në këtë pozicion në muajin nëntor të vitit 2005, ndërsa në atë kohë, qeveria e re porsa kishte ardhur në pushtet nga zgjedhjet e korrikut të vitit 2005. Në atë kohë misioni supervizues kërkoi, përpara se qeveria të vendoste për ndryshimin e koordinatorit, që të rinovonte kontratën me koordinatorin e parë, duke shprehur kënaqësinë për rezultatet e tij të punës dhe performancën e ekipit të menaxhimit të projektit”, - thekson raporti i investiguesve të Bankës.

Balla: “Familja Berisha na ka bërë të dukemi qesharakë në sytë e botës”

“Vetëm dy ditë pas kthimit në Shqipëri të Sali Berishës, një ndër mediat më të ndjekura të Shteteve të Bashkuara Amerikës, ‘Fox News’, i hapi lajmet e veta me një rast tjetër korrupsioni ndërkombëtar, në qendër të të cilit është pikërisht Sali Berisha dhe familjarët e tij. Emri i Sali Berishës dhe i dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, u denoncuan në lajmin e ‘Fox News’-it si dy persona përgjegjës për keqpërdorimin e 39 milionë dollarëve të Bankës Botërore. Fox News, një ndër televizionet më të ndjekura informative amerikane, hedh dyshime mbi arsyet përse Bordi i Drejtorëve dhe Paneli i Investigimit është keqinformuar dhe penguar në hetimin dhe identifikimin e atyre personave që kanë përfituar në Shqipëri. Televizioni amerikan thekson se Banka Botërore ra dakord për të financuar projektin, pasi Bordi i Drejtorëve në Uashington u sigurua se qeveria e Sali Berishës kishte arritur një moratorium për shkatërrimet e shtëpive në Jalë. Në dokument thuhej se nuk do të kishte prishje të strukturave të banimit më parë se të asistoheshin qytetarët që do të prekeshin nga studimi. Por Jamarbër Malltezi dhe Sali Berisha vendosën t’i shembnin shtëpitë e banorëve të Jalës sepse toka e tyre i duhej familjes së Sali Berishës. Nuk është hera e parë që mediat më prestigjioze amerikane shkruajnë për superkorrupsionin dhe vjedhjet e Sali Berishës. ‘New York Times’ e akuzoi Sali Berishën për trafik ndërkombëtar armësh, ndërsa dy ditë më parë ‘Fox News’ e akuzon për korrupsionin e tokave. Nuk është e hera e parë që qeveria e Sali Berishës dhe familja që na qeveris na bën qesharakë dhe me turp në sytë e gjithë botës”.

Jala, si nisi hetimi i Panelit të Inspektimit

Hetimi dhe investigimi i Bankës Botërore ka nisur dhe është shtrirë në harkun kohor prej një viti e gjysmë. Kësaj here qeverisë dhe ndërtimorëve u ka ngecur “sharra në gozhdë”, pasi prishën shtëpinë e familjes së një pedagogeje shqiptare në Kanada, të quajtur Katerina Koka, e cila, pasi ka ezauruar të gjitha ankesat në filialin e Bankës Botërore në Tiranë, më tej ka proceduar me denoncimin dhe kërkesën e saj për hetim drejt Panelit të Inspektimit të Bankës. Gjithë bazën dokumentare dhe ndjekjen e procedurës për këtë ankesë të bërë në emër të banorëve e ka udhëhequr pikërisht Katerina Koka, ndërsa mbi këto dokumente kanë firmosur të gjithë anëtarët e familjeve të prekura nga shkatërrimet në këtë fshat. Kërkesa e bërë nga banorët dhe e drejtuar nga Katerina Koka është marrë në dorëzim nga Paneli i Inspektimit të Bankës më 30 korrik 2007. Dy muaj pas kësaj kërkese, në mëngjesin e 21 shtatorit të vitit 2007, në Rinas kanë zbritur tre përfaqësues të lartë të Panelit Inspektues të BB-së, që të tre persona me funksione “kyçe” në Bankën Botërore. Drejtoresha e Përgjithshme e Panelit, Uerner Kiene, së bashku me sekretaren Ekzekutive të Panelit, Dilek Barlas dhe ekspertin special, Eduardo Abbott (ish-drejtor i Panelit dhe një ekspert me shumë autoritet), vizituan Shqipërinë për të parë në terren zbatimin e projektit dhe për të vlerësuar qëndrueshmërinë dhe vërtetësinë e ankesave që kishin ardhur nga Shqipëria. Pasi janë njohur me pretendimet e përfaqësive të zonës së Jalës dhe asaj të Vlorës, tre përfaqësuesit e lartë kanë kontaktuar dhe ekipin e menaxhimit të projektit, për të dëgjuar dhe versionin e tyre. Kësisoj, pasi kanë inspektuar për katër ditë dhe pasi kanë arkivuar qëndrimet, argumentet dhe pozicionimet e të dyja palëve, ata kanë filluar hartimin e këtij raporti, që sot ndodhet në zyrën e Bordit drejtues të Bankës Botërore.

11 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›