E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji “Për ekspertët kontabël”, ja pikat që kundërshtohen nga grupet e interesit

Cilat janë kontestimet për ligjin sipas standardeve të BE-së

Ervin Koçi

Këtë vit pritet të hyjë në zbatim ligji i ri “Për auditin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël dhe kontabilistit të miratuar”. Por megjithëse ky ligj pretendohet se do të përshtatet sipas standardeve të BE-së, për të rregulluar një profesion shumë të rëndësishëm, përsëri hartimi i tij ka ndeshur në kontestime të forta sidomos nga grupet e interesit që kundërshtojnë ndryshimet e ligjit. Ekspertët kontabël të licencuar që e ushtrojnë aktivitetin e tyre si ekspertë të lirë, shikojnë te projektligji i ri një mori parregullsish dhe mospërshtatjesh për ushtrimin e saktë të këtij profesioni. Por përveç grupeve të interesit, hartimi i këtij projektligji të ri, i cili është edhe në një prej pikave të MSA-së, kundërshtohet pikërisht edhe nga vetë Ministria e Integrimit, e cila mësohet se nuk ka pranuar formën e hartimit të këtij drafti që bie ndesh me kërkesat e BE-së. Sipas kësaj ministrie, “Neni 29 i direktivës 2006/43/EC (pra direktiva e 8-të e BE-së), pika “a” dhe “B”, përcakton se “kontrolli i cilësisë duhet të jetë i pavarur dhe i përjashtuar nga çdo lloj ndikimi prej audituesve dhe shoqëritë e auditimit”. Dispozitat që rregullojnë IEKA-n krijojnë një situatë në kundërshtim me direktivën përkatëse të BE-së që synohet të rregullohet me këtë ligj. Kjo pasi krijimi i një situate monopol në fushën e ofrimit të shërbimeve profesionale mund të sjellë pasoja shumë të rënda në një realitet ku korrupsioni është një fenomen lufta ndaj të cilit është një nga prioritetet e qeverisë. Kjo sjell edhe diskriminimin me pa të drejtë të organizmave të tjera profesionale, që janë regjistruar me vendim gjykate.

Funksionimi i ligjit të ri

Rregullat e reja të licencimit dhe procedurat për aktivitetin e ekspertëve kontabël, sipas projektligjit të ri përfshijnë të gjitha subjektet që ushtrojnë këtë veprimtari me licencë. Ligji i mëparshëm, që ishte në fuqi për këtë kategori profesionistësh të sektorit të biznesit, pas përmirësimeve dhe pas miratimit nga Parlamenti do të hyjë në fuqi këtë vit, duke përcaktuar rregulla të reja si në licencimin e ekspertëve kontabël, ashtu dhe në ushtrimin e profesionit të tyre, deri te kontrolli mbi ta nga ekspertë të posaçëm. Në ligjin e ri përcaktohet qartë dhe mënyra se si do të licencohen ekspertët kontabël të autorizuar, si dhe shoqëritë e auditëve. Sipas projektligjit të ri përcaktohet ngritja e një bordi që do të kryejë mbikëqyrjen publike për të gjithë ekspertët kontabël të licencuar deri tani si dhe për ata të rinj. Po kështu, marrëdhëniet profesionale do të rregullohen me anë të Kodit të Etikës që do të përgatitet nga Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, i njohur ndryshe si “IEKA”. Ligji i ri i jep të drejtë të plotë “IEKA”-s që të mbikëqyrë veprimtarinë e profesionit të ekspertit kontabël të autorizuar. Në rast të ushtrimit të paligjshëm të profesionit, por edhe përdorimit abuziv të emërtimeve të shoqërive që synojnë të krijojnë një ngjashmëri, ose një konfuzion me këta tituj apo emërtime, subjektet e rreme do të përballen me sanksione nga ana e Institutit si dhe Bordit. Sanksionet do të jenë të rrepta dhe do të shkojnë deri në ndjekje penale për subjektet që falsifikojnë statusin dhe emërtimin.

11 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›