E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, vihet në pikëpyetje data e zgjedhjeve



Eljona Ballhysa
Socialistët ngrenë pikëpyetje mbi datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Sipas tyre, situata e pajisjes së qytetarëve më karta identiteti është alarmante. Bashkëkryetari i Komisionit Ad-hoc për zgjedhjet, Kastriot Islami është shprehur dje pas mbledhjes me dyer të mbyllura të këtij komisioni, se nuk mjafton koha për pajisjen e të gjithë qytetarëve pa pasaporta me karta identiteti dhe kjo rrezikon procesin zgjedhor.
I pyetur nëse pranohet shtyrja e zgjedhjeve, sipas PS-së, kur mund të bëheshin ato, në mënyrë që procesi të përmbushë standardet e kërkuara, Islami u shpreh se kjo pyetje duhet t’i bëhet kryeministrit Berisha, i cili duhet të pranojë dështimin e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta. “Nuk mund të futem në mendime hipotetike. Ne jemi të angazhuar për datën 28 qershor dhe ky vlerësim, nëse do të ndodhte, kjo pyetje duhet t’i bëhet kryetarit të PD-së dhe kryeministrit. Nëse pranon dështimin që s’i bën dot kartat, të thotë kush është zgjidhja tjetër”, - është shprehur Islami.
Socialistët
Partia Socialiste prej kohësh ka konstatuar se procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime nuk është i rregullt. Duke u bazuar edhe në shifrat e bëra publike nga Ministria e Brendshme, PS-ja mendon se nuk ka kohë të mjaftueshme për pajisjen me letërnjoftime e qytetarëve që nuk kanë pasaporta. “Vij këtu pas një mbledhjeje të Komisionit Ad-hoc, nga i cili na rezulton më shumë shqetësim se një javë më parë; nga shpjegimet rezulton se gjendja është bërë më alarmante. Situata po përkeqësohet dhe rreziku po rritet në kuptimin e ezaurimit të kapaciteteve teknike për pajisjen me karta identiteti të votuesve pa pasaportë. Besoj se java e ardhshme do të përbënte në këtë kuptim një moment defleksioni. Nëse e analizojmë informacionin e ardhur nga Ministria Brendshme del se ne kemi pasur jo vetëm të drejtë, por situata paraqitet akoma më e rëndë”, - është shprehur Islami.
Demokratët
Demokratët, nga ana e tyre, mendojnë se procesi po ecën me ritme normale. Ata kanë rrëzuar në mënyrë kategorike shtyrjen e datës së zgjedhjeve. I pranishëm në mbledhjen e djeshme të Komisionit Ad-hoc, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, u bëri thirrje partive politike që t’i nxisin qytetarët të aplikojnë për letërnjoftimet. “Lidershipi i partive politike, sidomos i atyre opozitare, t’u bëjnë thirrje simpatizantëve të tyre që të shkojnë e të aplikojnë për karta dhe më pas t'i tërheqin ato nga zyrat e shpërndarjes së njësive vendore. Ne kemi në zyrat tona të shpërndarjes gati 248 mijë letërnjoftime, nga të cilat janë tërhequr vetëm 110 mijë. Sistemi i kartave të identitetit është i shtrirë në të gjithë vendin dhe punon me kapacitet të plotë. Sot kemi në punë mbi 410 stacione aplikimi në të gjithë vendin, në gati 300 njësi vendore, që mundëson realizimin e një numri më të lartë aplikimesh”, - është shprehur Poni. Edhe anëtari i PD-së në komision, Fatos Hoxha, e akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, për sabotim të procesit. “Deri në këto momente kryetari i PS-së nuk u ka bërë thirrje anëtarëve të PS-së e militantëve të majtë që të shkojnë e të aplikojnë. Në të kundërt, ai ka nxjerrë në të gjithë Shqipërinë satelitët e tij që të mos marrin pjesë në proces, me qëllimin e vetëm bllokimin e tij dhe për të treguar se qeveria po dështon në këtë proces. Mund të them se ky është një sabotim i pastër. Kreu i PS-së ka shpërndarë urdhër në të gjithë të zgjedhurit lokalë të PS-së që të bllokojnë pajisjen e shtetasve me certifikatë, dokument i nevojshëm për aplikim, duke i afishuar certifikatës taksa vendore disa herë më të larta se çmimi i vetë kartës”, - është shprehur Hoxha.

11 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›