Kartat e reja, procedurat nisin vetëm në një komunë
Nuk ka qenë e mundur as ditën e djeshme që të shkojë të paktën në dy numri i komunave në të cilat ka nisur aplikimi për letërnjoftimet e reja elektronike në të gjithë nënprefekturën e Sarandës. Pas qendrës së ngritur në të vetmen komunë, atë të Livadhjasë, gjithçka është përgatitur që procesi të niste më 30 mars edhe në Komunën e Xarrës. Por, pikërisht kur do të hapeshin dyert dhe operatori do të niste nga puna, është parë se paketës së pajisjeve të qendrës i ka munguar pena e posaçme, me të cilën nënshkruajnë aplikantët. Dhimo Kote, kryetar i Komunës së Xarrës, tha për "Shqip" se pajisjet e nevojshme kishin shkuar e ishin instaluar, por është konstatuar se mungonte mjeti i firmosjes. "Pas disa orësh kërkimi në Sarandë, mundëm ta sigurojmë penën e munguar, tha Kotja, por dita iku dhe u la që dita e parë e aplikimeve detyrimisht të jetë 31 marsi". Ndërkohë, procesi i aplikimeve për letërnjoftimet e reja ka shënuar fluksin më të lartë në qendrën e ngritur në Bashkinë e Sarandës, duke arritur në 180 veta. Kjo është marrë si reflektim ndaj vendimit më të fundit të qeverisë shqiptare për uljen e çmimit të letërnjoftimeve për disa kategori dhe shërbimit falas për kategori të tjera të popullsisë.