Kartat, ish-kreu i KQZ-së, Gjata: Kërkesat e opozitës, joserioze
Absurde dhe joserioze i ka cilësuar kërkesat e opozitës për kartat e identitetit ish-kryetari i Komisionit Qendror te Zgjedhjeve, Çlirim Gjata. Duke folur për mediat, Gjata tha se i tërhoqi vëmendjen kërkesa për aparate në qendrat e votimit që kontrollojnë kartat, që sipas tij, një kërkesë e tillë të kujton shprehjen “po rojet kush i ruan”. Ai tha se kartat janë dokumente të sigurta dhe sipas tij, në vende të tjera nuk ka parë kontrollues kartash në zgjedhje, pasi ato konsiderohen në sigurta. Ish-kreu i KQZ-së tha më tej se identifikimi i votuesve nuk është një problematikë e këtij niveli që kërkon të paraqitet nga opozita, duke shtuar se ka të tjera çështje për të cilat duhet të kenë vëmendje. “Ajo që mua më tërhoqi vëmendjen, ishte kërkesa për një aparat në qendrën e votimit për të kontrolluar kartën. Unë do shkoja pak më tej, do thosha edhe një aparat për aparatin që do kontrollojë kartën. Pra, dalim tek parimi “po rojet kush i ruan”? Kjo shkon në absurd nëse për çdo qendër votimi, që nuk e kam parë në asnjë vend të botës, të kontrollohet dokumenti i identifikimit për shkak se mund të ketë dalë një kartë falso. Pasaporta falso kanë dalë gjithmonë, mund të ketë edhe karta. Nuk mund të nisesh nga përjashtimi për të bërë rregullin”, - deklaroi z,Gjata.