E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmorët e listave



Deputetët socialistë që u prenë në besë nga zgjedhja “Rama”. Prej dy javësh ata akoma janë të shokuar dhe nuk dinë nëse duhet të reagojnë, nëse duhet të aktivizohen në ndonjë parti tjetër të majtë, nëse duhet të kërkojnë sqarim nga kryetari i ri i partisë, apo të kërkojnë një punë që ka të bëjë me profesionin e tyre. Duket se zgjedhja e fundit është më e përshtatshme për ta, pavarësisht se ka nga ata si Ylli Bufi apo Musa Ulqini, që të qenit deputet tashmë u është kthyer në një profesion, duke pasur parasysh se kanë 5 mandate në Kuvend

Simbolika e 5 majit, Ditës së Dëshmorëve, nuk ka të bëjë vetëm me përkujtimin e një gjesti fisnik e të madh në mbrojtje të atdheut, siç është luftimi i pushtuesit. Përkundrazi kjo ditë, e cila u shënua pikërisht në datën e vrasjes së një prej udhëheqësve kryesorë të lëvizjes komuniste shqiptare, Qemal Stafa, simbolizon gjithashtu prerjen në besë, komplotin, përjashtimin. Kjo simbolikë nuk i është ndarë historisë së mëpasshme të Partisë Komuniste, që u bë Partia e Punës e më pas Partia Socialiste. Edhe sot, kur kjo parti po tenton të shkulë rrënjët e gjenezës së saj komunistë, ka dëshmorë si Qemal Stafa, që fatmirësisht nuk janë vrarë fizikisht, por u është ndërprerë karriera politike dhe u është mohuar jeta partiake me një të rënë të lapsit. Kriteri i politikës së re nuk duket se pi ujë në këtë rast, kur shumë përfaqësues të politikës së vjetër janë në krye të politikës së re të trumbetuar nga Edi Rama. Në fakt nga drapri i politikës së re u bënë vetëm disa dëshmorë, të cilëve Rama nuk mori mundimin as t’ua komunikonte më parë vendimin e tij, por i la që ta mësonin fatin politik të tyre nëpërmjet televizioneve dhe gazetave ditën e publikimit të listës së kandidatëve. Prej dy javësh ata akoma janë të shokuar dhe nuk dinë nëse duhet të reagojnë, nëse duhet të aktivizohen në ndonjë parti tjetër të majtë, nëse duhet të kërkojnë sqarim nga kryetari i ri i partisë, apo të kërkojnë një punë që ka të bëjë me profesionin e tyre. Duket se zgjedhja e fundit është më e përshtatshme për ta, pavarësisht se ka nga ata si Ylli Bufi apo Musa Ulqini, që të qenit deputet tashmë u është kthyer në një profesion, duke pasur parasysh se kanë 5 mandate në Kuvend.

Ndërprerja e karrierës

Musa Ulqini, një njeri që ka qenë për vite me radhë fytyra e PS-së së Tiranës. Ka marrë 5 mandate deputeti në zonën e ish-Bllokut dhe që do të mbahet mend si i pari që iu nënshtrua reformës së Edi Ramës në parti, duke dhënë dorëheqjen nga posti i kreut të degës. I kontaktuar nga gazeta “standard”, me natyrën e tij të butë mundohet të mos jetë agresiv ndaj vendimit që e përjashtoi nga partia, por me sinqeritet pranon se është i suprizuar dhe i tronditur njëkohësisht. Ai nuk e dinte deri ditën që doli lista, që s’do të ishte më në fushatën elektorale të Partisë Socialiste, që s’do të garonte më për të qenë deputet i saj. Për ta bërë sa më të vërtetë divorcin e tij përfundimtar me partinë ku u rrit politikisht, dha dorëheqjen dhe nga sekretar i Qarkut të Degës së Tiranës. Në listën e Qarkut të Tiranës ai lexoi emrat dhe nuk e pa veten ndër të parët, por as ndër të fundit. Telefoni nuk i kishte rënë atë ditë dhe as ditët para zyrtarizimit të listës. Kryetari socialist, Edi Rama, nuk kishte marrë mundimin as t’i dërgonte një SMS për t’i shprehur arsyen e këtij përjashtimi. Ndërkohë Ulqini kishte zgjedhur udhën e heshtjes dhe të mosluftimit. Ndoshta, as që i dinte mënyrat se si mund të luftohej në një betejë të tillë. Shumë emra të tjerë që ishin në pikëpyetje për të qenë jashtë asaj liste e kishin gjetur rrugën për deri tek kryetari. Ja siç ndodhi me Bashkim Finon, që ditën e fundit arriti të ishte në lisën fituese të Fierit, dhe pse deri atëherë nuk i kishte dhe aq mirë punët me kryetarin, ishte hequr nga lista shumë kohë më parë. Por jo. Ai është i qetë për karrigen e deputetit, ndërkohë që Musai, Ylli Bufi dhe deputetja e Fierit, Rajmonda Stefa, janë të qetë vetëm për një gjë, që nuk do të lodhen në fushatë deri më 28 qershor. Kjo e fundit gjithashtu e mësoi në momentin e fundit ikjen e saj nga lista “Rama”. Deri atëherë ishte e sigurt me veten. Mendoi se do të mjaftonte angazhimi i saj disavjeçar militant në PS-në e Fierit, kalimi i butë në krahun e Ramës, edhe pse ishte një nga mbështetëset më të forta të Fatos Nanos. Ngritja e zërit në Parlament, apo edhe fitorja e lavdëruar shumë në PS me Dritan Priftin e LSI-së, nuk e shpëtuan dot karrierën e saj të saponisur si ligjvënëse.

Më i qeti nga të gjithë dhe ndoshta i ngopur nga të qenit deputet, duket se është nënkryetari aktual i Kuvendit, Ylli Bufi. Prej kohësh, Bufi kishte marrë gati-gati një rol jashtë Partisë Socialiste. Kjo u vu re dhe kur arriti të marrë në dy-tre raste karrigen e kryetarit të Parlamentit, duke mos u treguar aspak tolerant me vrullin destruktiv socialist në Kuvend. Gjithashtu dhe Bufi u kontaktua nga gazeta “standard”, por e priti me një buzëqeshje pyetjen se cili do të jetë reagimi i tij pasi PS nuk e futi në listën e saj të re të ligjvënësve. Komentet Bufi i lë për vonë, ndoshta pas zgjedhjeve kur të ketë dhe ai një ide se si do të jetë jeta e tij pa pagën si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Besnik Dervishi, Rrapush Tola dhe Elmaz Sherifi janë tre deputetë të tjerë të kësaj partie që qëndruan në grupin parlamentar, edhe pse e panë veten jo fort të përshtatur me rregullat e reja të vendosura nga kryetari Rama. Qëndruan në grup se shpresonin për jetëgjatësi apo për shkak të mosdëshirës për të kaluar në një krah tjetër, gjithsesi atyre sot u mbetet vetëm t’i japin lamtumirën selisë rozë dhe sallës së Parlamentit. Janë të zemëruar me kryesocialistin Rama, por jo aq sa të ndërmarrin hapa publikë kundër tij dhe jo aq sa të vrapojnë për tek partia e kolegut të tyre, Petro Koçi, që ishte i vetmi që i tha lamtumirë Ramës para se t’ia thoshte ky i fundit. Jo më pak i përjashtuar është dhe Ndriçim Hysa, një figurë kontraverse në PS. Militant i Fatos Nanos e më pas i Edi Ramës, njeriu që i ka fryrë më shumë se kushdo tjetër bilbilave në sallën e Kuvendit. Ai është i fundit i listës së Elbasanit, por ka vendosur të mos ngrejë krye. Është marrë vesh me kryetarin që të vazhdojë kontributin e tij në PS, edhe pse s’do jetë më deputet.

Dëshmorët e majit 2009 në PS kanë një të përbashkët. Janë dëshmorë të urtë. Nuk dinë rrugën për t’u konvetuar nga politika e vjetër në atë të renë, siç kanë bërë disa kolegë të tyre që po i mbijetojnë fort mirë erës së re që erdhi pas 2005-s. Ata nuk janë agresivë ndaj atij që me një të rënë të lapsit vendosi për të ardhmen e tyre, në një vend që e quanin me të drejtë “familja politike”, por që në të shumtën e rasteve është “familja e interesave”. Por nuk janë vetëm këta dëshmorët e majit 2009. Shumë ish-deputetë, ish-ministra, ose zyrtarë lokalë që kishin një jetë të tërë në këtë parti, nuk arritën të marrin frytet e angazhimit të tyre, por morën në vend të tyre zhgënjimin e një pune të çuar dëm. Më i freskët na vjen në mend rasti i Eva Allushit, një grua që është në kryesinë e PS-së, drejtonte gazetën e saj, bënte fushatat në Tiranë prej disa vitesh dhe në fund u kompensua vetëm me ironi.

Lista pa kujtesë

Mungesa e Fatos Nanos në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste e çon këtë parti drejt sfidës elektorale pa kujtesën e saj historike. (Veç në qoftë se Edi Rama mendon se historia përfaqësohet nga Gramoz Ruçi). Por mesa duket, Nano nuk është një dëshmor. Ai do të vazhdojë të luftojë dhe vetëm sa ka ndërruar fushën dhe sebepin për betejë. Nuk ka dalë në pension politik, pavarësisht se shumëkush mendoi kështu, kur u zhduk nga skena, pasi humbi zgjedhjet e vitit 2005. Jo! U kthye më energjik se kurrë. Madje në krah të atij që kur iku në 2005-ën e la armik e tashmë po gjen pikat e humbura të miqësisë. Rikthimi politik i Nanos me mbështetjen e Ilir Metës dhe të pjesës tjetër të socialistëve, që janë rreshtuar tek PSV’91, duket se sjellin një arsye për një betejë të re, për të fituar humbjet e listës “Rama”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›